Bojkotim politik në serbi,  tashmë në vend funksionojnë dy parlamente

schedule13:11 - 13 Shkurt, 2019

schedule 13:11 - 13 Shkurt, 2019

Serbët vijojnë protestat e tyre kundër presidentit Vuçiç, e ky i fundit deklaron se nuk do të japë dorëheqjen dhe sikur të jenë 5 milionë ata që manifestojnë në shesh. Ndërsa opozita e bashkuar ka vendosur të bojkotojë parlamentin duke zhvendosur foltoren e tij në hollin e ndërtesës së Kuvendit.

Në Serbi deputetët e opozitës kanë vendosur të bojkotojnë që nga 1 shkurti, punimet në Kuvend në shenjë solidariteti me mijëra protestues që prej 10 javësh, çdo fundjavë zbresin në rrugët e Beogardit dhe në qytete të tjera kundër asaj që e cilësojnë si një diktaturë të vendosur nga presidenti Aleksandër Vuçiç me regjimin e tij autoritar.

Me anë të një deklarate për shtyp, aleanca për Serbinë, grupi që përmbledh parti të ndryshme dhe element politikë kundër opozitës, dhe pse shumë të ndryshëm mes tyre, nga ekstremi i djathtë në ekstremin e majtë – bënë të ditur se nuk do të merrnin më pjesë në një parlament fasadë, duke I dhënë legjitimitet një regjimi që nuk pranon këndvështrimet e ndryshme dhe që trajton opozitën si armike të shtetit.

Janë të shumtë në vend, ata që besojnë se pas presidentit Vuçiç dhe partisë së tij progresiste serbe, vendi po shkon drejt një autokracie. Të ndryshëm janë raportet ku denoncohen censurimet e zërave kritikë, por dhe presionet mbi zgjedhësit. Freedom House, organizata e pavarur që monitoron nivelin e lirisë demokratike, javën e kaluar e cilësoi vendin në këtë fushë si pjesërisht të lirë.

Përfaqësuesit e grupeve të opozitës mbajnë çdo gjysëm ore konferenca për shtyp në hollin e parlamentit ku bëhen publike qëndrimet e tyre mbi tema që diskutohen në sallë.

Lideri i lëvizjes së ekstremit të djathtë Dveri, Bosko Obradovic u shpreh se opinioni publik i brendshëm dhe ndërkombëtar duhet të dijë se tashmë në Serbi ka dy parlamente ai i pushtuesve që përdorin dhunën dhe ai demokratij dhe i lirë që mblidhet në hollin e ndërtesës.

Protestat e dhjetorit u nxitën si reagim ndaj sulmit të dhunshëm kundër politikanit të opozitës Borko Stefanovic në Krushevac. Manifestuesit kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç, por presidenti deklaroi se nuk do dorëzohej dhe sikur të ishin 5 milionë ata që manifestojnë. Që këtu doli dhe emri i protestës 1 nga 5 milionë.

Lideri serb së fundmi ka ndryshuar disi qëndrimin e tij thjesht duke mohuar kritikat. Konkretisht ai ka hapur një profil në instagram javën e kaluar për të promovuar fushatën e re “E ardhmja e Serbisë” si dhe ka premtuar se do të vizitojë 29 zonat e vendit për të prezantuar planet dhe për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Në postimin e tij të parë ishte një dërrasë ku vizatohej një plan veprimi ndërsa fotografitë e tjera janë pjesë e turit nëpër Serbi teksa flet me njerëzit apo me gazetarët.

Pavarësisht protestave nëpër rrugë, Vucic mbetet kandidati presidencial më popullor në vend sipas sondazheve më të fundit

Sipas Faktor Plus, si raporton dhe e përditshmja serbe Politika, partia e Vuçiç muajin e kaluar do të kishte marrë 54 për qind të votave nëse do të kishte zgjedhje të parakohshme. Aleanca për Serbinë, aktualisht grupi opozitar më i madh në vend, duhet të kënaqet vetëm me 14 për qind të votave.

Disa ekspertë mendojnë se fillimi i fushatës “E ardhmja e Serbisë” dhe rezultatet e sondazheve, janë tregues të besueshëm të mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme.

Por aleanca për serbinë këmbëngul se nuk do të mjaftonte. Grupi është i bindur se opozitës i duhet lejuar që të zhvillojë debate televizive dhe të përballet me çështjet e shpërndarjes së dizinformimit para se çdo proces zgjedhor të mund të konsiderohet i lirë dhe i barabartë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!