Bojkoti i Superiores: Sot takim vendimtar, Rama-Duka i vënë “vulën”

schedule08:39 - 20 Tetor, 2020

schedule 08:39 - 20 Tetor, 2020

“Bojkoti vazhdon derisa të plotësohen kërkesat. Nuk ka asnjë president kundër këtij vendimi, unanimisht kanë vendosur kështu”, u shpreh mes të tjerash Edvin Libohova, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit. Superiorja vijon të protestojë, ndërkohë në Shqipëri luhen vetëm ndeshje miqësore.

Tifozët, por edhe vetë lojtarët, i kanë sytë nga Liga dhe qeveria. Deri më tani ka pasur “mundje krahu” mes palëve, por kjo situatë nuk çon askund. Diskutimet kanë nisur dhe ka njëfarë akordi për tre prej kërkesave. Ngërçi është te Ligji i Sponsorizimit, që konsiderohet jo funksional nga Liga e Futbollit.

LEXO EDHE: “Nuk po i biem murit me kokë!”, çfarë tha Libohova në “Pressing”

Ministria e Financave këmbëngul që ai është një ligj i mirë, por problem më vete është fakti që një pjesë e mirë e presidentëve të klubeve nuk kanë kompani që të regjistrojnë fitime vjetore deri në 1 miliard lek. Praktikisht nuk mund të përfitojnë prej atij ligji, ndërkohë që ligji është përjashtues edhe për shumë kompani të tjera që do të donin të investonin në sport.

Nga ana e klubeve dhe FSHF-së është bërë një propozim tjetër, që u jep të drejtën bizneseve të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit duke pasur një fitim më të vogël. Një takim i parë u zhvillua të enjten në ambientet e Ministrisë së Financave, ndërkohë që sot është në program një tjetër takim.

 

Gjatë takimit të sotëm…

Liga pret një version tjetër për Ligjin e Sponsorizimit dhe nëse ofrohet një që mund të jetë efektiv, atëherë klubet do të bënin edhe lëshime në kërkesat e tjera. Libohova e pranoi diçka të tillë edhe mbrëmë në emisionin “Pressing” në ABC News.

Takimi i sotëm, si dhe tjetri mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të FSHF, Armand Duka, mund të rikthejë futbollin që këtë fundjavë, ose maksimalisht mesjavën e ardhshme. Gjithçka është çështje vullneti, që deri më tani ka munguar. E sigurt është se nuk ka më kohë për të humbur… /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!