Bojkoti i PD në zgjedhjet lokale në 2019/ Kapllanaj: Basha e pranoi që bëri gabim

schedule11:54 - 28 Prill, 2023

schedule 11:54 - 28 Prill, 2023

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Mallakastrës, Agron Kapllanaj e cilëson të gabuar, vendimin që u mor në vitin 2019 nga kjo forcë politike, duke bojkotuar zgjedhjet lokale në vitin 2019.

Në një intervistë për ABC News, Kapllanaj u shpreh se ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka pranuar se ajo që ndodhi ishte e gabuar.

Sipas Kapllanajt, çdo forcë politike duhet të hyjë në zgjedhje, pavarësisht nëse nuk është në kushte të barabarta me kundërshtarët.

“Ne kemi pasur diskutime të gjata edhe gjatë kohës që kemi marrë vendime për të mos hyrë në zgjedhje në 2019, kemi pasur mbledhje ku kemi diskutuar. Kam parashikuar këtë që do të ndodhte, sepse duke fuqizuar subjektin tjetër politik dhe duke i falur 61 bashki, do të thotë që për ne do të bëhej më e vështirë dhe ne po bojkotonim zgjedhjet dhe po braktisim interesin e qytetarëve. Pas zgjedhjeve kemi diskutuar dhe mua më është pranuar personalisht nga Basha që ka qenë një gabim dhe ne vetë e kemi quajtur një gabim.

Por unë personalisht e kam quajtur një gabim bojkotin dhe ne nuk duhet të bojkotojmë  zgjedhje. Një forcë politike duhet të përballet me kundështarin edhe pse me kundërshtarin nuk jemi të barabartë, qoftë edhe me pushtetin që ka. Kjo ka ndodhur dhe ne nuk mund të kthehemi pas në kohë, por sot, sigurisht që qytetarët, më shumë se kurrë kërkojnë që ne, jo vetëm të marrim pjesë në zgjedhje, jo vetëm të bashkohemi. por të jemi më të fuqishëm për t’i bërë ballë kundërshtarit dhe për ta mundur atë”, theksoi ai.

Teksa kandidon për një mandat të dytë, pas asaj të 2015-2019, Kapllanaj nënvizoi se do të bëjë më shumë për Mallakastrën nëse fiton zgjedhjet më 14 maj./abcnews.al