Avokatët kanë protestuar sot përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor kundër Hartës së re Gjyqësore. Në një deklarate për mediat, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë u shpreh se juristët do të prezantojnë në mënyrë finale qëndrimin e tyre e më pas do të ndjekin rrugën gjyqësore.
Maksim Haxhia u shpreh se edhe pse problematikat e ngritura prej tyre nuk janë marrë parasysh deri më tani, ata nuk ndihen të humbur pasi, shtoi ai, publikut iu bë e ditur që kjo hartë e re ka kosto për ta, për mënyrën sesi do të merret shërbimi.
“Do të prezantojmë në mënyrë finale qëndrimin tonë në lidhje me Hartën e re Gjyqësore. Nuk ndihemi aspak të humbur që s’u morën parasysh problematikat. Ia bëmë të qartë të gjithë publikut që kjo hartë gjyqësore do të jetë në kosto të shërbimit dhe kohës së tyre të vyer. Një thirrje e fundit për KLGJ dhe qeverinë për ta riparë edhe një herë. I sigurojmë që kjo hartë do të krijojë problematika më të mëdha. Nuk vendosim vija të kuqe, kemi paraqitur argumentet tona, Drejtësia të jetë efektive dhe e realizueshme…Kemi propozuar shumë variante, më se të realizueshme dhe rezultatet janë bindëse. Kushtetuesja është hapi i fundit. Nuk bëjmë protestë për të treguar forcën tonë.”
Nëse nuk marrin zgjidhje për kërkesat e tyre, avokatët paralajmërojnë se do ta çojnë çështjen deri në Kushtetuese. Ndërsa, për bojkotin do të vendosë Këshilli i Përgjithshëm. /abcnews.al/