Bojkot foltores derisa të vijë Rama, Balla i kërkon Nikollës të trajnojë deputetët e opozitës për rregulloren e Kuvendit

schedule17:20 - 16 Shtator, 2021

schedule 17:20 - 16 Shtator, 2021

Punimet në Kuvend, në seancën e sotme plenare vijojnë të jenë të ngrira pasi opozita kërkon praninë e kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit bëri të ditur përmes kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla se do të jetë i pranishëm në sallë në orën 17.00. Nga foltorja, deputeti Ervin Salianji u shpreh se opozita prej orësh që pret të marrë fjalën dhe tashmë që u erdhi radha kryeministri nuk është i pranishëm.

“Kryetarja e re e Kuvendit, që duhet të kishte një mentalitet tjetër në sjellje, bën të mundur realizimin e një kërkese minimale. Nuk mund ta marrë fjalën dikush tjetër, as qeveria të tentojë të fitojë kohë. Kemi orë që presim të na vijë radha.  Opozita ka vetëm fjalën. Nëse e pengoni të drejtën më minimaliste të opozitës, për çfarë bën përralla gjithë ditën Rama? Duhet të dilni nga salla e të na jepni mundësi të shprehemi me votë për vendimmarrjen që do të marrim. Na lironi sallën…”

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla u kujtoi deputetëve të opozitës rregulloren duke thënë se sipas nenit 52, të drejtën e ndërprerjes së seancës e ka vetëm kryeparlamentarja.

Duke mos e kursyer ironinë, Balla i kërkoi Nikollës që të bëhen trajnime urgjente për mësimin e rregullores së Kuvendit.

“Neni 52 i jep jep të drejtën e ndërprerjes së seancës vetëm drejtueses. Kur 7×7 bëjnë 42 mund a thuash kështu… Nuk shkruhet asgjëkundi që mbledhjet e grupeve parlmentare zhvillohen në këtë sallë…E kemi urgjente një trajnim për rregulloren e Kuvendit. Mos e lexoni mbrapsht, marrja peng nuk është e sanksionuar në rregullore.”

Kurse deputeti Edmond Spaho, duke sjellë në vëmendje premtimin e kreut të qeverisë për ndryshimin e komunikimit me opozitën, tha se ai duhet të jetë i pranishëm të dëgjojë se ç’mendon kryetari i opoztës për programin e tij.

“Programi qeverisës, paraqitet një herë në katër vjet dhe kryeministri nuk është prezent. U shpreh se do të ketë sjellje të re. Kjo është sjellja e re? Të tallesh me shqiptarët dhe opozitën. Të vijë të dëgjojë ç’mendon kryetari i opozitës për programin e tij.  Të vijë, kjo nuk është normale.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!