Bayern Munchen pret Werder Bremen në fushën e vet nesër (15:30), sfidë që duhet fituar për të vazhduar kryesimin në Bundesligë. Trajneri i ekipit bavarez, Hans-Dieter Flick është ndalur te Jerome Boateng dhe momenti negativ te kombëtarja gjermane.
Mbrojtësi i njohur del lojtar i lirë në fund të sezonit dhe drejtuesit kanë vendosur të mos i ofrojnë rinovimin e kontratës. “Për mua ka rëndësi të madhe të kem një komunikim të mirë me lojtarët dhe drejtuesit e klubit.
Nuk kam kontroll mbi asgjë tjetër. Jerome e di se çfarë mendoj për të, ai është një futbollist i rëndësishëm për mua. Ka dhuruar paraqitje fantastike me ne dhe fitoi Tripletën për herë të dytë me Bayernin, kështu që nuk ka diskutime mbi kualitetin që zotëron.
Kombëtarja? Situata është e qartë për të gjithë. Low dhe stafi i tij morën vendimin për të mos i thirrur më Thomas Muller dhe Jerome Boateng, kështu që është diçka që duhet respektuar.
Nuk më takon mua të gjykoj vendimin e tij. Unë jam i lumtur që kam në skuadër dy futbollistë si Muller dhe Boateng. Të dy janë lojtarë me cilësi të mëdha“, përfundon trajneri i rekordmenëve gjermanë. /abcnews.al