“Blloku” i Isuf Kalos, Henri Çili: Akt emancipimi, duhet t’i shohim gjërat më gjerë

schedule20:41 - 20 Shtator, 2019

schedule 20:41 - 20 Shtator, 2019

“Blloku” i Isuf Kalos është një nga librat më të suksesshëm të këtij viti. Henri Çili, si botues i librit, tha këtë të premte gjatë emisionit “Provokacija” se për “Bllokun” do të hidhen edhe 5 mijë kopje të tjera në treg.

Sipas Çilit, suksesi i librit lidhet me Isuf Kalon, i cili ka qenë mjeku personal i Hoxhës, me Bllokun, kuriozitetin për komunizmin dhe të shkruarit shumë bukur të autorit.  Megjithatë, “Blloku” i Kalos ka pasur shumë polemika dhe kritika. Disa intelektualë dhe personazhe të njohur në vend kanë thënë se ai nuk duhej botuar.

Mirëpo për Henri Çilin, këto polemika dhe sulmet që janë bërë herë pas here mbi autorin dhe botuesin kanë qenë të padrejta.

“Edhe mua më ka befasuar zemërimi i njerëzve dhe shumë miqve dhe kolegëve të afërt dhe e shoh si një indikator të rëndë të intolerancës në të cilën gjendemi akoma pas 30 vjetësh në një shoqëri të lirë. Që ditën e parë qoftë Isufi, qoftë unë si botues kemi pasur sulme edhe në nivele nga njerëz jo pa vlera. Përgjigja e parë dhe jo e vetme ndaj një statusi të Sadik Bejtos në ditët e para, të nesërmen ishte, unë i them “jo botuesit totalitar”. Pak a shumë shoqëria shqiptare duke sharë diktaturën propozon modele të tjera totalitare. Ka deri tek ata që mendojnë se nuk duhej botuar libri. Edhe miq e kolegë tanë si Alfred Lela, apo Fitim Zekthi. Unë jam befasuar nga indeksi i instolerancës që ka shpërthyer në shoqërinë shqiptare. Ky ishte një shkas ose pretekst”, tha Çili.

Sipas Çilit, tashmë vendi e ka mbyllur kapitullin e tranzicionit dhe njerëzit duhet t’i shohin gjërat më gjerë dhe në kuadrin pluralist e të tolerancës.

“Ne duhet t’i shohim gjërat më gjerë, në kuadrin pluralist, në një kuadër tolerance dhe mbi të gjitha në një kuadër që na lejon të bashkëjetojmë në një shoqëri. Libri i Isufit nuk ishte një kat i pamenduar. Të gjitha palët jemi menduar shumë. Unë si botues për ta botuar këtë libër dhe ai për të zgjedhur botuesin se kishte shumë oferta. Kalo ka pozitë dhe të dhëna unike në raport me të kaluarën e tij, ka qenë mjeku i diktatorit shqiptar. Njihet koncepti i librave të mjekëve të diktatorëve gjithandej. Është vepra e famshme, “Këta të sëmurë që na qeverisin”. Unë e zgjodha jo rastësisht këtë libër me shumë entuziazëm për të përmbyllur një kolanë dhe një projekt që ne e kemi nisur në Shtator të vitit 2009 me një libër të Blendi Fevziut “Jeta ime” me intervistat më të veçanta të 15 vjetëve atëherë të “Opinionit””, tha Çilit.

Sipas tij, “Blloku” është një akt emancipimi dhe Kalo do të kishte bërë gabim po mos ta shkruante.

“Libri ka një rëndësi në përmasa historike për kujtesën dhe kulturën tonë historike”, tha Çili./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!