Rreth 560 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në brigjet e Brindizit nga Guardia di Finanzia. Në pranga kanë rënë dy skafistë shqiptarë, të cilët po e transportonin drogën drejt shteit fqinj.
Sipas mediave, dy shqiptarët, G.M. dhe A.B. janë të moshës 32 dhe 27-vjeçare dhe sapo kanë parë forcat detare italiane janë munduar të largohen duke hedhur ngarkesën në ujë.
Pas një ndjekje në det, autoritetet bënë të mundur sekuestrimin e marijuanës e cila ishte ndarë në 24 pako të mëdha. Mediat shkruajnë se nëse do të nxirrej në treg prej drogës do të përfitoheshin rreth 5 milionë euro.
Që nga fillimi i këtij viti nga Guardia di Finanza e Puglia-s janë sekuestruar më shumë se 16 tonë marijuanë, janë arrestuar 39 skafistë dhe janë bllokuar 16 mjete lundruese.
Për rastin ka dhënë informacion edhe Policia e Shtetit shqiptar, ku thuhet se ishte një operacion në bashkëpunim me Guardia di Finanzia italiane.
Sipas policisë, dy të rinjtë e kapur janë nga Vlora, ndërkohë që po punohet bashkarisht me palën italiane për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast trafikimi të lëndëve narkotike./abcnews.al