Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u takua në Izrael me Kryeministrin Benjamin Netanyahu ndërsa Uashingtoni rifilloi përpjekjet për armëpushim, pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar. Vizita e Sekretarit Blinken vjen vetëm disa orë pasi Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah kanë vazhduar të kryejnë sulme ajrore ndaj njëri tjetrit. Uashingtoni, së bashku me vendet arabe në rajon, kanë bërë përpjekje për muaj të tërë për arritjen e një armëpushimi, por asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet nga kushtet e tyre. Izraeli gjithashtu pritet të sulmojë Iranin si kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian me raketa më 1 tetor.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem të martën për të bërë një tjetër përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Lindje të Mesme.
Zyra e Kryeministrit Netanyahu publikoi disa fotografi nga takimi, por nuk lëshoi njoftim për bisedën midis dy zyrtarëve. Sekretari Blinken gjithashtu do të takohet me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë ndërsa filloi udhëtimin njëjavor që do ta çojë atë edhe në Jordani dhe Katar.
Grupi libanez Hezbollah tha të martën se nuk do të ketë negociata ndërsa luftimet vazhdojnë. Sekretari Blinken arriti në Izrael të martën disa orë pasi grupi Hezbollah kreu një sulm ajror me një breshëri raketash mbi Izraelin qëndror. Deri më tani nuk janë bërë njoftime për viktima, por një pjesë e një rakete të rrëzuar goditi një zonë banimi në qytetin izraelit Bnei Brak. Mbrojtja ajrore shumështresore e Izraelit ka kapur shumicën dërrmuese të raketave dhe dronëve të lëshjuar ndaj tij që nga fillimi i luftës në Gazë.
Sulmi i grupit libanez u bë disa orë pasi Izraeli sulmoi një zonë të Bejrutit jugor, ku ndodhet objekti më i madh i shëndetit publik në Liban. Gjatë sulmit u vranë 13 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë së Libanit. Ushtria izraelite tha se grupi Hezbollah ka fshehur qindra miliona dollarë në para dhe ar në një bunker të ndërtuar nën këtë spital.
Stafi i spitalit Sahel hodhi poshtë akuzën.
“Nuk ka tunele të Hezbollahut, as projekte nëntokësore. Spitali përbëhet nga dy kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë. Në katin e parë nën tokë është kuzhina dhe sallat e operacionit dhe një kat më poshtë janë dy gjeneratorë, morgu dhe ambientet e mirëmbajtjes”, thotë një nga infermeret e spitalit Sahel në Bejrut.
Ky është udhëtimi i 11-të i Sekretarit Blinken në rajon që nga fillimi i luftës më 7 tetor të vitit të kaluar kur grupi palestinez Hamas kreu një sulm të befasishëm në Izraelin jugor. Agjencitë e lajmevee njoftojnë se kjo është përpjekja e fundit e Uashingtonit për të bindur palët të ndalojnë luftimet para zgjedhjeve presidenciale amerikane më 5 nëntor.
Izraeli pritet të hakmerret edhe ndaj Iranit për shkak të sulmit të republikës islamike me qindra raketa më 1 tetor.
Gjatë sulmit të 7 tetorit militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe morën peng 250 të tjerë, një pjesë e të cilëve u liruan pas një marrëveshje armëpushimi mes palëve. Kundërpërgjigja ushtarake izraelite, sipas të dhënave të autoriteteve palestineze, shkaktoi vrasjen e mbi 42 mijë njerëzve në Rripin e Gazës. Ndërkaq, Izraeli ka dërguar trupa edhe në Liban ku po zhvillon luftime me grupin militant libanez, Hezbollah, i cili ashtu si grupi palestinez Hamas e ka mbështetjen e Iranit.
Grupi militant libanez Hezbollah është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak të grupit, por jo edhe partinë politike./VOA/