Blinken me mision të ri në Lindjen e Mesme, po plani nuk përfshin ndalesë në Izrael

schedule15:03 - 20 Mars, 2024

schedule 15:03 - 20 Mars, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, filloi të mërkurën një mision në Lindjen e Mesme, në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes administratës së Presidentit Joe Biden dhe qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Ndërkohë banorët e qytetit të Gazës në veri thanë se luftimet rreth spitalit Al Shifa ishin më intensivet prej disa muajsh. Izraeli tha se kishte vrarë 90 persona të armatosur. Hamasi mohoi të kishte pasur luftëtarë të pranishëm në spital dhe tha se të vrarët ishin civilë.

Zoti Blinken shkon në Arabinë Saudite të mërkurën dhe në Kajro të enjten për të biseduar me udhëheqësit rajonalë mbi përpjekjet për të siguruar një armëpushim.

Në Arabinë Saudite, ai pritet të takohet me princin e kurorës, Mohammed bin Salman. Në njoftimin për udhëtimin e tij nuk përmendej ndonjë ndalesë në Izrael, diçka e pazakontë. Ministria e jashtme e Izraelit tha të martën se nuk kishte marrë ndonjë njoftim për një vizitë të zotit Blinken. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes nëse ekziston mundësia që t’i shtohet itinerarit një ndalesë në Izrael.

Sekretari i Shtetit Blinken e ka vizituar Izraelin në secilën nga pesë vizitat e tij në rajon që nga fillimi i luftës. Ditët e fundit luftimet në pjesët veriore të Gazës janë intensifikuar.

Ato përfshinë luftimet rreth Al Shifës, dikur spitali më i madh i Gazës dhe aktualisht një nga të paktët që funksionon në veri.

Kryeministri izraelit Netanjahu hodhi poshtë të martën thirrjen e presidentit Biden për të anuluar planet për një sulm tokësor në Rafah, qyteti në skajin jugor të Gazës, ku strehohet më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të enklavës.

Zoti Netanjahu u tha ligjvënësve se ia kishte bërë “shumë të qartë” zotit Biden në një telefonatë “se ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund eliminimin e batalioneve në Rafah dhe kjo nuk mund të realizohet përveçse duke hyrë në terren”.

Izraeli thotë se Rafah është baza e fundit madhore e luftëtarëve të armatosur nga Hamasi. Uashingtoni thotë se një sulm tokësor atje do të ishte “i gabuar” dhe do të shkaktonte pasoja të rënda mes civilëve.

Në Rafah strehohen më shumë se një milion banorë të Gazës që u urdhëruan nga forcat izraelite të shkojnë atje në fillim të luftës. Izraeli thotë se ka një plan për t’i evakuuar ata por nuk është e qartë se ku. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!