Mesfushori i Lazios, Luis Alberto, ka kërkuar publikisht falje për deklaratën e mëparshme të tij rreth situatës në klubin kryeqytetas. Kujtojmë se spanjolli akuzoi drejtuesit se ata kanë para për të blerë një avion, ndërkohë që nga ana tjetër nuk i japin pagat lojtarëve dhe stafit teknik. Mesa duket ai është penduar, sidomos pas reagimve të shumta në rrjetet sociale ndaj deklaratës së tij.
“Unë gjithmonë i kam dalë zot gabimeve të mia dhe po e bëj edhe tani. Ky nuk ishte momenti i duhur për ta thënë këtë, unë e di që paratë nuk janë gjithçka dhe kjo është një kohë e vështirë për të gjithë. Mezi po pres që kjo të mbarojë dhe të rikthehem të luaj futboll. E thashë atë për të gjithë, pasi doja që klubi të punonte mirë për ne”, deklaron lojtari gjatë videos së postuar në “Instagram”.
“Jam këtu prej katër vitesh dhe e kam mbështetur Lazion që kur kam qënë fëmijë. I kërkoj falje atyre që janë ofenduar, por nuk ishte ky qëllimi im. Ne si ekip kemi hequr dorë nga paga e një muaji sepse i dinim shumë mirë vështirësitë dhe dëshironim të ndihmonim.
View this post on Instagram
Kam shumë respekt për këtë që më ka dhënë Lazio dhe jap gjithmonë maksimumin në fushë. Ne vërtetë jemi një familje këtu. Zgjodha momentin e gabuar për ta thënë, por kërkoj vetëm më të mirën për klubin. Kështu që Forza Lazio, le ta fitojmë së bashku këtë betëjë”, përfundon Alberto. /abcnews.al