Blegtori i deleve rude, bariu: Dal në mal pavarësisht kohës, në fshat kanë mbetur vetëm 4 barinj

schedule20:13 - 3 Shkurt, 2024

schedule 20:13 - 3 Shkurt, 2024

Teksa shumica e banorëve ë zonat rurale po i braktisin fshatrat, ka nga ata të cilët ende nuk u kanë kthyer shpinën.

Ekremi është një ndër ta. Ai e nis dhe e përfundon ditën me bagëtitë.

Jeton në fshatin Nangë të Kukësit dhe me mbarshtimin e bagëtive merret prej 40 vitesh. Kohët e fundit në sallat e tij gjen vetëm dele rude.

Përveç ushqimit në salla, bagetitë i nxjerr në kullotat e pasura të fshatit. Kjo është detyra e çdo dite, pavarësisht motit me diell apo shi.

“Në 2023, 361 ditë, dhentë kanë qenë të lëshuara. Më datë 29 nëntor që ra bora, kanë ndenjur 4 ditë të izoluara. 361 ditë unë nuk kam pushuar”.

Ndihmë ka motrat e tij, të cilat po ashtu nuk janë larguar nga fshati.

“Jemi bashkë me motrat që i rregullojmë. Jemi 4 vetë, unë me bashkë me 3 motrat.”

Blegtoria ka shumë mund, por Ekremi thotë se edhe kënaqësia që merr është e veçantë.

“Këtë që bëj unë, e kam kënaqësinë më të madhe, që jam vetëpunësim, për mua është gjë shumë e mirë. Kam lodhje, por kam edhe fitim.”

Kujton se dikur në fshat ishim me dhjetëra blegtorë e në bjeshkë përgjatë verës, ngriheshin të paktën 40 stane.

“Për 6 vjet, këto kohët e fundit, jemi 4 fermerë që mbarështojmë delet në fshatin Nangë. Lopët, pjesa dërrmuese e banorëve i kanë hequr”.

Me fitimet është i kënaqur.

Për shitjen e mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre nuk ka nevojë të dalë në treg. Kliente ka miq e të njohur të cilët nuk janë zhgënjyer kurrë nga cilësia e produkteve të tij.

Mbështetja e institucioneve nuk i ka munguar, megjithatë, Ekremi thotë se ndaj fshatit duhet më shumë vëmendje e investime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!