Biznesi jo aq i ëmbël i mjaltit, vitet e fundit dëmi në bletari deri në 40 %

schedule15:07 - 22 Maj, 2021

schedule 15:07 - 22 Maj, 2021

Një biznes i ëmbël, jo vetëm nga produkti që prodhon, por edhe të ardhurat.

Por, nuk mund të konsiderohen të ëmbla problemet, që shoqërojnë prodhuesit ndër vite.

Vitor Maluta, kryetar i Konfederatës së Bletërritësve të Shqipërisë në Mat, thotë se ky sektor nuk duhet të shihet vetëm në aspektin e përfitimit nga produktet e bletës, por edhe si një kontributor i madh në ruajtjen e biodiversitetit.

“Problemi kryesor janë dëmtimet dhe mosvlerësimi i bletarisë për rolin e vërtetë që ata luajnë në pllenimin e kulturave bujqësore. Duhet theksuar se roli i vërtetë i bletarisë është ndikimi që ka në pllenimin e kulturave bujqësore dhe ruajtjen e biodiversitetit. Ky rol nuk vlerësohet mirë”, thotë Vitor Maluta.

Dëmtimet në bletari vitet e fundit kanë qenë të shumta.

“Vitet e fundit në Shqipëri ka shumë dëmtime të cilat kanë shkuar deri në 40%  të totalit. Nëse do ta marrim në shkallë kombëtare dëmi kalon 15-20 milion euro në vit, pavarësisht se bletarët i rikuperojnë këto dëmtime, ajo është një vlerë e konsiderueshme dhe një pasuri kombëtare që dëmtohet”, trego ai.

Kryetar i Konfederatës së Bletërritësve të Shqipërisë, tregon për faktorët që kanë ndikuar.

“Dëmtimi i natyrës nga njeriu, si djegia e pyjeve, përdorimi i pesticideve, dëmton habitatin e mbarështrimit të bletëve, po ashtu faktor janë edhe sëmundjet e bletëve”, thotë ai.

Por numri i të rinjve që po shfaqin interes dhe po ua kushtojnë kohën e tyre bletëve po bëhet gjithnjë më i vogël.

Gjithashtu Vitor Maluta thotë se në universitet mungon dega për bletarët.

“Duhet theksuar se nuk ka diçka të organizuar për trajnimin e bletarëve. Sot në strukturat e shtetit nuk ka një specialist të mirëfilltë që përgjigjet për bletarinë. Po ashtu në Fakultetin e Veterinarisë mungon një degë e masterit për të nxjerrë specialistë për bletarinë”, sqaroi Maluta.

Ai u bën apel institucioneve që ti kushtojnë më shumë vëmendje këtij sektori dhe të krijohet mundësia për trajnimin e bletarëve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!