Problematikat e sezonit turistik, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi dhe ai për Europën e Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i diskutuan me sipërmarrësit që operojnë në sektorin e turizmit në Velipojë. Ata i kërkuan të plotësojnë detyrimet e tyre pasi kontrollet do të vijojnë.
Mos abuzoni me çmimet, ishte apeli i Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, drejtuar përfaqësuseve të bizneseve turistike në Velipojë pasi aktiviteti i tyre do të jetë nën monitorim.
“Shteti ashtu siç ju ka mbështetur në aktivitetin tuaj do të jetë në kontroll që aktiviteti të mos jetë abuziv, të keni në kujdes problematikat e lindura tashmë edhe nga dashakeqës të turizmit në Shqipëri për rritjen e çmimeve, abuzimet me cmimet prandaj do t’ju kërkojmë në radhë të parë juve që keni bizneset në këto zona që të jeni shumë më transparentë me pushuesit, të keni në çdo restorant apo hotel, lista çmimesh të afishuara dhe biseda me turistët të jetë direkte, e sqaruar, përsa i përket çmimeve dhe do të vazhdojnë kontrollet përsa i përket ligjit, pasi unë mendoj që një dhe vetëm një është çelësi i suksesit; zbatimi i rregullave nga të gjithë”, tha Klosi.
Në takimin me drejtuesit rajonal dhe anëtarët e Komitetit të Turizmit, ministri Klosi theksoi se plazhi i Velipojës është më i pastër se vitet e shkuara nderkohe vuri ne dukje punen e bere per vendosjen dhe zbatimin e sinjalistikës ujore. Koordinatori i Partisë Socialistë për qarkun e Shkodrës, Ditmir Bushati, vuri në dukje rolin e pushteti vendor për zgjidhjen e kërkesave të bizneseve.
“Nuk e di se çfarë ka bërë administratori. Se nuk zgjidhet puna të çohet secili prej jush dhe të çoj mesazh te kryeministri, prefekti e ministri. Puna zgjidhet që për pastrimin cfarë po bëhet gjatë gjithë vitit, çfarë kontribuojnë bizneset, çfarë kontribuon komuniteti, çfarë ka mundësi bashkia, çfarë ka mundësi qeveria. E dyta, aktivitetet e karakterit kulturor, të gjitha janë duke u bërë me mbështetjen ose të biznesit, ose të qeverisë qendrore. Këtu duhet gjithashtu kontributi i bashkisë”, tha Bushati.
Dy ministrat, inspektuan qendrën shëndetësore qe këtë sezon turistik ofron shërbim për pushuesit 24 orë në shtatë ditë të javës./abcnews.al