Bashkia e Tiranës vijon aksionin për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Nismës së saj i janë bashkuar dhe bizneset private. Kryebashkiaku Erion Veliaj nxiti qytetarët të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të thyer rekordin e mbjelljeve të vitit të shkuar.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët të shfrytëzojnë dy muajt e mbetur dhe të kontribuojnë për të shtuar gjelbërimin në kryeqytet. Kryetari i bashkisë ishte në parkun e liqenit artificial, në pjesën jugore të të cilit u mbollën 150 pemë, dhuratë nga sipërmarrjet private.
“Këtë vit jemi shumë pranë 100 mijë pemëve, por kemi edhe dy muaj kohë, ndaj do të ftoja të gjithë ata që duan t’i japin mbrapsht diçka Tiranës, kësaj Tirane të bukur e të madhe që i jep gjithmonë dashuri njerëzve, nëse duan t’i dhurohet diçka mbrapsht, dhurata më e bukur do ishte një pemë. Kemi plot arsye për të dhuruar dhe besoj se duke filluar nga kompanitë më në zë të vendit tonë e deri tek një shtëpi modeste, dhurimi i një peme është ndoshta gjëja më e bukur që mund të bëjmë në këtë sezon, për t’i dhënë Tiranës pak dashuri nga ajo që na jep përditë”.
Hapësirat, të cilat katër vite më parë theksoi Veliaj ishin zaptuar nga ndërtimet pa leje, tashmë i janë kthyer parkut të liqenit duke dyfishuar hapësirat e tij dhe duke e kthyer këtë zonë në një nga më të pëlqyerat në Tiranë./abcnews.al