Erblina Mile
Pandemia ka rrënuar aktivitetin e bizneseve në Shqipëri. Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë rezulton se Tregtia është sektori më i prekur ku 89% e subjekteve kanë pranuar rënie të aktivitetit.
E njëjta situatë paraqitet edhe në sektorin e shërbimeve, ku 86% e subjekteve raportojnë rënie dhe në sektorin e industrisë rreth 84%. Më të goditurat rezultojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat kanë gjetur si rrugë mbijetese shtyrjen në kohë të pagesave dhe uljen e numrit të punonjësve.
Ndikimin kryesor në këtë situatë duket se e ka dhënë ulja e kërkesës nga klientët vendas. Pjesa më e madhe e subjekteve raportojnë se gjatë muajit shtator ka pësur një rënie të theksuar të shitjeve nëse krahasohet kjo me disa muaj më parë.
Nga ky vrojtim i Bankës së Shqipërisë konstatohet ndër të tjera edhe rritja e nivelit të borxhit që merret nga të tjerët është rritur në 12% nga 4 % që ishte në muajin prill. Në muajin shtator vihet re një shtim i peshës së alternativës “Rritje e borxhit nga të tjerët” kryesisht kjo për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla.
Ndërkohë, që mbështetje në sektorin bankar, duket se kanë gjetur vetëm ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha. Në përgjithësi, bizneset presin që të kthehen në situatë normale ose në të njëjtën situatë si përpara Covid-19, afërsisht pas 10 muajve.
Nga vlerësimet e vet bizneseve, në krahasim me muajin prill, ku kriza pritej të ishte e përkohshme, tashëm kjo periudhë është dyfishuar.
Sipas madhësisë,së bizneseve koha e kthimit në situatën normale rezulton më e lartë për bizneset e vogla.
NDIKIMI I AKTIVITETIT TË BIZNESEVE NË SHTATOR
Tregtia 89%
Shërbime 86%
Industria 84%
Ndërtimi 78%