Duke iu referuar kornizës së re të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analisti Mentor Nazarko foli për një takim të supozuar ndërmjet presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe presidentit të shtetit të Palestinës Yasser Arafat.
Sipas tij, mendohet që Arafat ta ketë këshilluar Rugovën në lidhje me bisedimet “çdo marrëveshje që do të bëni, do të jetë më e keqe se para”.
Nazarko e tregoi këtë gjë në një bashkëbisedim në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri.
Lexo edhe:Ndryshimi i rezolutës së Dick Marty, Nazarko: Qeveria e Kosovës nuk e mbështet këtë iniciativë
Sipas tij, në këtë kuadër shihet një ngadalësim i procesit të negociatave me planin e ri franko – gjerman, i cili parashikohet të zbatohet për një periudhë 10 vjeçare, ndërkohë që planet e mëparshme kishin afate më të shkurtra kohore zbatimi, madje dhe një vjeçare.
Pas një analize të administratave amerikane Biden dhe Trump, si dhe rolit që po luan BE në procesin e negociatave dhe qeveritë përkatëse, serbe dhe kosovare, ka një kokëfortësi nga qeveria e Kosovës, edhe për planin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të tilla si OKB-ja.
Sipas Nazarkos, Kosova mund të hynte në organizatat ndërkombëtare dhe pa njohjen e Brukselit, ka pas qenë një nen që të dy palët nuk do ti paraqesin njëra tjetrës pengesë për anëtarësim që në vitin 2013.
“Që në 2013, ka qenë një nen i tillë, i deklaruar dhe nga Daçiç, po na kërkojnë në Bruksel që Kosova duhet të futet në OKB, serbët ishin të gatshëm dhe atëherë, por nuk ka qenë qasje e duhur e Kosovës, në momentin më të fundit, Serbia nuk ka mundur ta pranojë. Janë humbur 9 vite kohë, jemi sërish në kushtet e ngjashme ku historia përsëritet”, u shpreh Nazarko.
“Tashmë, sipas tij, Kosova duhet të pranojë diçka që e ka patur të premtuar që në vitin 2013, dhe në analizat e debateve televizive askush nuk ka qasjen historike, cila është lidhja reale e këtyre negociatave me konfliktin Ruso- Ukrainas. Kosova sot, ndonëse me vonesë, po përpiqet që të optimizojë pozitën e vet ndërkombëtare“, tha Nazarko.

