Dy ministrat e Jashtëm të Athinës dhe Shkupit kanë arritur marrëveshjen kornizë për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë. Tashmë, ka diskutime vetëm për çështje teknike. Kjo marrëveshje do të diskutohet dhe në nivel kryeministrash.
Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, janë dakordësuar për kornizën e kompromisit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Dy krerët e diplomacive respektive janë takuar në Bruksel, ku kanë negociuar deri vonë dhe kanë arritur kompromis. Dimitrov tha për agjencinë e lajmeve “MIA” se tani procesi do të vazhdojë në nivel kryeministrash.
Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm i Maqedonisë: “Kemi pasur takim produktiv, kemi kornizë që duhet të përpunohet dhe për momentin në të po punojnë në Athinë ekipe juridike nga të dy ministritë. Nga mesi i javës duhet të zhvillohet bisedë e rëndësishme në nivel kryeministrash mes Zaev dhe Tsipras, ku shpresojmë se do të vendosin për disa gjëra të rëndësishme nga opsionet që janë në lojë”.
Nga ana tjetër, Kotzias nënvizoi se ministrat e Jashtëm kanë përfunduar punën e tyre dhe tekstet e përgatitura do të jenë së shpejti në duart e kryeministrave të dy vendeve, të cilët më pas duhet të vendosin për marrëveshjen përfundimtare.
Nikos Kotzas, ministër i Jashtëm i Greqisë: “Ne si ministra të Jashtëm kemi përfunduar obligimin që kemi marrë përsipër nga kryeministrat e dy vendeve. Do të vazhdojnë negociatat në nivel ekspertësh. Ajo çfarë duhet të zgjidhen janë çështjet tekniko-juridike. Sapo të përfundojnë edhe ato dhe sa po të qartësohen çështjet teknike dhe juridike, tekstet e përgatitura në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme do t’u dorëzohen dy kryeministrave, të cilët do të diskutojnë dhe do të arrijnë marrëveshja përfundimtare”.
Ndërkohë, palët nuk kanë bërë të qartë opsionin për zgjidhjen e çështjes së emrit. Kryeministri Zaev propozoi që emri i ri të jetë “Republika Ilinditase e Maqedonisë” dhe me këtë të ndryshohet Kushtetuta. Por, pala greke ka hedhur poshtë këtë propozim dhe preferon njërin nga emrat e propozuara nga ndërmjetësuesi, Matthew Nimetz./abcnews.al