Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se një diplomate e lartë amerikane u tha zyrtarëve kinezë se Shtetet e Bashkuara “mirëpresin konkurrencën e fortë mes dy vendeve”, por nuk kërkojnë konflikt me Kinën.
Zëvendës Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman është në Kinë për dy ditë bisedime, përfshirë takime me zëvendës Ministrin e Jashtëm Xie Feng dhe Ministrin e Jashtëm Wang Yi.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha përmes një deklarate se zonja Sherman dhe zoti Wang “diskutuan mbi mënyrat e përcaktimit të normave për menaxhimin e përgjegjshëm të marrëdhënieve SHBA-Kinë.”
Përsa u takon çështjeve konkrete, zoti Price tha se zëvendës sekretarja Sherman shtroi shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me fushatën e Kinës për shtypjen e lirive në Hong Kong, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit ndaj ujgurëve në provincën Xinjiang dhe kufizimet e shtypit të lirë.
Zonja Sherman, zyrtarja e dytë më e lartë e Departamentit të Shtetit, foli gjithashtu për “veprimet e Kinës në hapësirën kibernetike”. Bisedimet vijnë disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj akuzuan Kinën për “sjellje të papërgjegjshme dhe destabilizuese në hapësirën kibernetike” dhe Kina u përgjigj me akuza për sulme kibernetike amerikane kundër interesave të saj.
Sipas një përmbledhjeje zyrtare nga pala kineze, zoti Xie tha se Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin hapa për të shtypur Kinën, përfshirë trajtimin e saj si “armik imagjinar”./VOA