BIRN: Pas “DH Albania” qëndron “Gener 2”

schedule18:32 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 18:32 - 18 Dhjetor, 2018

Teksa autoritetet shqiptare presin ndihmën amerikane për të gjetur se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Investigative ka zbuluar disa dokumente zyrtare, që e lidhin atë me kompaninë “Gener 2”.

“Unë inkurajoj me forcë të madhe prokurorinë ta hetojë këtë çështje deri në fund për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe autorëve që fshihen pas saj”, tha Gjiknuri në një deklaratë.

Pak ditë pas kësaj deklarate të Ministrit të Infrastrukturës, dalin në dritë të tjera të dhëna që zbulojnë se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, e cila përmes dokumentave të falsifikuara fitoi dy tendera me vlera 30 milionë euro, në harkun kohor të 4 muajve që prej themelimit të saj.

Tenderi i parë lidhet me ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe tjetri për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë. Ky dokument i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativ tregon në mënyrë kronologjike se një prej procedurave bankare në emër të “DH” është kryer dhe paguar nga kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas BIRN, më 3 Dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë “DH Albania” vendosi hapjen e një nipti sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Një ditë më pas ai autorizoi juristen e kompanisë “Gener 2”, Ledi Hysenj për të paguar tarifën prej 150 lekësh në një bankë të nivelit të dytë, ndërsa më pas mandatin bankar e dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dokumenti zbulon se në vend të kompanisë “DH Albania”, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin “Shqiponja” mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”. BIRN thotë se Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt.

Përveç Dobit dhe Hysenj, veprime në emër të kompanisë “DH Albania” kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi.

Fillimisht dyshimet e para se “Gener 2” qëndron pas “DH Albania” i hodhi “Zëri i Amerikës”, dyshime për të cilat tani BIRN thotë se ekzistojnë edhe prova të pakundërshtueshme. BIRN thotë në shkrimin e tij se tani autoritetet shqiptare s’kanë arsye pse të presin ndihmën nga SHBA për të zbuluar kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi dy tendera përmes falsifikimit, pasi dokumenti i QKB-së dhe rrethi i njerëzve pas “DH Albania” ekspozojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Ulaj. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i kërkoi kryeprokurores Arta Marku të hetojë kryeministrin Rama për këtë aferë korruptive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!