Luan Birçe, trajneri i Flamurtarit, pas ndeshjes me Luftëtarin që e barazuan me rezultatin 1-1, në lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Krijuam volum loje dhe raste, sikurse edhe Luftëtari. Pësuam një gol për mungesë përqendrimi.
U munduam të përmirësonim lojën dhe luajtëm me tre mbrojtës. Patëm raste, goditëm shtyllën dy herë dhe kishte edhe momente penalltie. Kjo bëri që të dilnim barazim. Kjo ishte një ndeshje që na duhej. U mundova t’i karikoj çunat dhe të bënin punë e tyre.
Në situata të tilla duhet të luftojmë edhe kundër fatit dhe njerëzve të tjerë që janë në fushë, arbitarve. Ky është fati ynë, nuk marrim dot tre pikët”. Më pas ai foli edhe për momentet e penalltive dhe Birçe ishte i bindur që ishin.
“Na duheshin tre pikët dhe nuk i morëm. Do bëjmë punën tonë, ka ndeshje të tjera. Luajmë në Laç dhe presim Bylisin më pas. Ansi Nika është një lojtar me përvojë dhe nuk ka nevojë të komentojë me tifozët dhe të dalë me karton të kuq. Ka pasur një dëmtim, ndaj nuk ka luajtur. Në dhjetë minuta bëri më të mirën, barazuam për meritë të tij. Është pjesë e rëndësishme e skuadrës”.
“Normalisht që na mërzit fakti që nuk morëm tre pikët. Luajmë me moral të ndrydhur, për situatën që kemi, kundër fatit, kundër arbitrave. S’e kam vetëm për penalltitë, pati edhe momente të shumta faullesh”. /abcnews.al