Flamurtari luajti një ndeshje të mirë kundër Tiranës, por doli pa pikë nga dueli i kryeqytetit. Ekipi vlonjat renditet në vend të fundit me 6 pikë dhe nuk ka arritur ende të realizojë fitoren e parë. Trajneri i kuqezinjve, Luan Birçe analizoi sfidën kundër bardhebluve në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
NDESHJA – “Zhvilluam një pjesë të parë të mirë dhe të ekuilibruar, krijuam edhe raste. Pjesa e dyta është e lidhur me anën fizike dhe mentale. Përgatitja psikologjike ndikon në anën fizike. Kjo na ka bërë që në pjesën e dytë të marrim presionin e fushës, të mos reagojmë dhe të vrapojmë pak. Kështu kemi pësuar gjithmonë në pjesën e dytë kemi pësuar gola. Sot lamë shumë për të dëshiruar për sa i përket shpirtit të garës”.
PENALLTIA – “Nuk e di, nuk kam gjë për të thënë. Sukaj më tha që ishte jashtë zonës. Duhet parë. Penalltia e futi lojën në kolaps”.
MUNGESA – “Mungova dy ditë për arsye personale. Kjo ishte e gjitha, e kisha njoftuar dhe klubin”.
PROBLEMI – “Pjesët e dyta duhet të jenë favorizuese për ekipet udhëtuese. Ne duhet të godasim për të marrë ndeshjen, por ka ndodhur e kundërta. Mungojnë lojtarët që duhet të marrin përdore skuadrën liderë. Nuk shikoj ndonjë lojtar të veçantë, që të bëjë diferencën dhe të ngrejë ekipin lart. I shikoj shumë të zvogëluar në pjesën e dytë. Situatën e shikoj akoma më të vështirë”.
E ARDHMJA – “Fanella dhe historia na ka ngacmuar që të motivojmë lojtarët. Do shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet në fazën e dytë, lojtarët që do të afrohen dhe më pas do të vendosim”. /abcnews.al