Analisti Adrian Nurellari tha se Albin Kurti nuk ka kërkuar konsensus për presidentin, por ka synuar kontroll institucional, duke e cilësuar shtyrjen e afateve si “teatër” për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ai shton se Albulena Haxhiu është përdorur si instrument politik, ndërsa Kurti synon një president jo konsensual, por të kontrollueshëm. Sipas tij, emërimet e fundit nga presidentja në detyrë, përfshirë drejtuesin e AKI-së dhe poste në diplomaci, tregojnë për një përqendrim të pushtetit.
“Kosova po shkon në zgjedhje. Kurti nuk kërkoi kurrë konsensus, por kontroll institucional përmes presidentit. Ideja për t’i dhënë më shumë ditë për zgjedhjen e presidentit ishte teatër personal i Kurtit për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Albulena Haxhiun e ka përdorur si zgjatim të pushtetit të tij, si instrument; kostoja është e jashtëzakonshme.
Nuk do një president konsensual, por dikë që ta kontrollojë. Ai do të ketë 6 muaj kohë me një president që i bindet interesave të tij. Ende pa u tharë boja e vendimeve të Kushtetueses, presidentja ushtruese e detyrës filloi emërimet. Emërimi i parë që ka bërë është drejtori i ri i AKI-së – Agjencia Kombëtare e Inteligjencës. E njëjta gjë po ndodh edhe me emërimet në diplomaci.”


