Në brendësi të Kështjellës Argjiro në Gjirokastër, ndodhet dhe Muzeu Kombëtar i Armëve, nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Krahasuar me numrin e vizitorëve të kështjellës, që paguajnë një biletë prej 400 lekë, muzeu frekuentohet nga një numër shumë më i ulët turistësh për shkak se duhet të paguajnë një biletë të dytë.
Nëse kështjella vizitohet mesatarisht nga rreth 700 turistë në ditë, po kaq është dhe numri në total i personave, që në dy javët e para të gushtit kanë vizituar muzeun e armëve.
Drejtori i turizmit pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Blerim Kore thekson se pagesa e dy biletave duhet të zgjidhet mes institucioneve lokale dhe qendrore.
“Problemi që evidentoni është i drejtë dhe është i mbartur ndër vite. Një turist që do hyjë në kala duhet të paguajë koston për tu futur në kala, e cila i kalon Ministrisë së Kulturës. Për të vizituar muzeun e armëve dhe muzeun e Gjirokatrës se janë dy muze në mjediset e kalasë duhet të paguajë një biletë shtesë, pra është një kosto në rritje që arkëtohet pranë drejtorisë së muzeumeve. Kemi synuar vazhdimisht të këtë një biletë unike, mendoj se ky problem duhet riparë dhe do rritet efektiviteti”, thotë ai.
Përgjatë këtij viti Gjirokastra, asetet e saj kulturore dhe historike janë vizituar nga mbi 65 mijë tursitë vendas dhe të huaj.
“Ka një rritje të vizitueshmërisë me 30%. Nuk vizitohet vetëm qyteti, por dhe vlerat e agro-turizmit në rrethina zonën e Lunxhërisë, Antigonesë, e të tjera”, tregon Kore. /abcnews.al