Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e një vizioni afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.
Ajo theksoi se politikat publike në Shqipëri janë të pjesshme dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, duke penguar mbylljen e tranzicionit 35-vjeçar. Sipas Nunajt, pa një strategji të qartë se ku duhet të jetë ekonomia shqiptare pas 10 vitesh dhe pa fokus te sektorë të qëndrueshëm si industria dhe bujqësia, vendi rrezikon të mbetet i orientuar vetëm drejt planeve afatshkurtra dhe me mirëqenie të ulët për qytetarët.
“Ne i kemi politikat publike të zhvilluara në mënyrë parciale, të pjesshme, ose të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse ne duam të kemi një ekonomi të zhvilluar dhe ta mbyllim këtë tranzicionin e gjatë 35-vjeçar ne duhet ta ndajmë mendjen se ku duhet ta çojmë ekonominë shqiptare pas 10 vitesh. Kush është sektori që duam të investojmë?
Ne nuk flasim për Shqipërinë, si një vend i vogël, por që ka potenciale dhe ne këto potenciale nuk i marrim fare në konsideratë dhe qytetarët që ngelen në Shqipëri janë ata që janë më pak të kualifikuar dhe bëjnë punë më pak të kualifikuara, që do të thotë bëjnë punë më pak të paguara dhe mirëqenia e tyre nuk rritet. Nëse ne nuk përcaktojmë ekonominë shqiptare dhe se ku do të jemi pas 10 vitesh dhe jo të mbështetmi te sektorë të paqëndrueshëm, por kryesisht në industri dhe në sektorin e bujqësisë, atëherë ne gjithmonë do të jemi në plane të shkurtra 3-4 apo 5-vjeçare dhe asnjëherë në këtë rast nuk do të jemi vizionarë për ekonominë tonë”, tha Nunaj./abcnews.al

