Ka rënë dhe bastioni i fundit i ISIS në Siri. Lajmi i publikuar një ditë më parë nga Pentagoni, u konfirmua dhe nga militantët kurdë. Por pavarësisht humbjes së madhe ISIS vijon të mbetet një kërcënim pasi është më gjendje të tërheqë rekrutë të rinj.
Në fund dhe zëdhënësit kurdë konfirmojnë zhdukjen e Kalifatit në bastione e fundit në Sirinë veri lindore. Baguz është çliruar, fitorja ushtarake ndaj ISIS është e plotë tashmë. Luftëtarët e fundit të ISIS ishin strehuar në kifi me Irakun, por gjithsesi në një deklaratë për shtyp militantët kurdë konfirmojnë se do të vazhdojnë betejën e tyre për të zhdukur çdo gjurmë të ISIS deri në eliminimin e plotë të tij
Kjo për të shpjeguar se ekzistojnë ende disa grupe të izoluara që janë fshehur dhe në strehime nën tokë, por dhe të shpërndarë në zona të shkretëtirës. Kurdët janë të interesuar të vazhdojnë luftën kundër kalifatit për të marrë mbështetjen ushtarake amerikane dhe për tu përballur me presionet turke por dhe me regjimin e presidentit sirian Bashar Al Asad.
Një ditë më parë Pentagoni konfirmonte se beteja kundër ISIS ishte fituar. Por kjo nuk nënkupton se ISIS tashmë nuk ekziston më pas parullat e tij dhe organizata terroriste mbeten një kërcënim, sepse mund të tërheqin rekrutë të rinj dhe të përbëjnë kërcënim. Janë me dhjetëra mijëra civilët, mes tyre dhe gra e fëmijë, që janë të bindur në ideologjinë e ISIS dhe kërcënojnë të krijojnë një kalifat të ri.
Në vitin 2014 ISIS kishte arritur të merrte nën kontroll një të tretat e territorit sirian dhe zona të gjera në Irak. Pas betejës në Kobane në vitin 2014 dhe falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurdët patën një rol të qenësishëm në mundjen e ISIS. Aktualisht ata duan që zëri i tyre të dëgjohet nga komuniteti ndërkombëtar, pikërisht në të njëjtën kohë kur presidenti sirian Bashar al Assad i mbështetur nga Rusia dhe Irani kërkon një marrëveshje me Ankaranë, për të rimarrë në kontroll të gjithë Sirinë përfshirë dhe zonën kurde./abcnews.al