Shërbimi sekret amerikan ka dërguar një skuadër përforcuese në Uilmington, në Delauer, për të shtuar mbrojtjen përreth Joe Biden dhe familjes së tij. Bëhet fjalë për një sinjal të qartë se kandidati demokrat po bëhet gati të mbajë fjalimin e fitores brenda pak orësh.
Ndërsa fitorja e kandidatit demokrat duket gjithnjë e më pranë përshkallëzohen tensionet në shumë shtete amerikane. Pas përplasjeve fizike dhe arrestimeve, FBI ka nisur hetimet për një sulm të mundshëm kundër qendrës së konventës në Filadelfia, ku po zhvillohet numërimi i votave. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat amerikane, policia ka marrë informacione për një grup personash të armatosur, të cilët me një automjet të tipit Hamer, po drejtoheshin në qendrën e numërimit. Agjentët e policisë ndaluan automjetin dhe arrestuan dy persona.
Ndërkohë vijojnë tensionet që lidhen me kërcënimet ligjore të Trump dhe stafit të tij kundër parregullsive të mundshme në kontrollin dhe verifikimin e votave sidomos në shtete kyçe për garën për në Shtëpinë e Bardhë. Kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë nuk pranon të humbë dhe përsërit vazhdimisht se beteja për presidencën do të shkojë në Gjykatën e Lartë.
Sfida e Biden dhe Trump nuk ndalon në betejën elektorale që po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një përplasjeje. Nga njëra anë Trump bën apel për ndalimin e numërimit të votave me pretendime se po shfaqen vota fantazmë. Nga ana tjetër Biden këmbëngul që votat të numërohen deri në skedën e fundit sepse kjo është demokracia.
Tensioni përshkallëzohet në të gjithë vendin, ndërsa nata e tretë elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbyll pa një fitues të shpallur, me numërimin e votave ende në proces në pesë shtete kyçe.
Dhe është pikërisht diferenca e ngushtë mes dy kandidatëve në këto vota që e bën të pamundur një projektim të saktë. Pasi i mori Trump, Uiskonisn dhe Michigan, Biden rrezikon të marrë dhe Georgian e Pensilvaninë, ku me më shumë se 95% të votave të numëruara, situata është e barabartë mes të dyve, dhe ish zëvendës presidenti amerikan është lehtësisht para. Trump kryeson në Karolinën e Veriut dhe pse me shumë pak vota diferencë./abcnews.al