Nga François Foret, The Conversation
Në fillim të vitit 2021, e ardhmja e Evropës ka qenë subjekt i shumë pyetjeve në lidhje me ndikimin e një serie ngjarjesh traumatik dhe transformuese – epoka pas Brexit, ri-përcaktimi i marrëdhënieve transatlantike nën një administratë të re amerikane, humbja e legjitimitetit të disa udhëheqësve për shkak të keq-menaxhimi të krizës shëndetësore që solli pandemia e Covid-19, apo sfidat ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit të krijuara nga qeveritë me prirje autoritare.
Një sondazh i kryer në tetë vende
Gjetjet paraprake të një projekti kërkimor që eksploron bazat kulturore dhe normative të qeverisjes evropiane me shumë nivele, ofrojnë disa të dhënat. Qytetarët e 8 vendeve evropiane, përfshirë ato më të mëdhatë (Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Rumania, Spanja, Britania e Madhe) dhe më të diskutueshmet (Hungaria), u pyetën “se sa ndikim do të kenë disa aktorë politikë mbi të ardhmen e Evropës gjatë viteve të ardhshme”.
Të anketuarve iu kërkua të vlerësonin një sërë udhëheqësish në kontinent dhe më gjerë: Emmanuel Macron (Francë), Angela Merkel (Gjermani), Boris Johnson (Mbretëria e Bashkuar), Viktor Orban (Hungari), Rexhep Tajip Erdogan (Turqi), Joe Biden ( Shtetet e Bashkuara), Vladimir Putin (Rusi), si dhe Papa Francesco.
Një shikim i shpejtë në rezultatet e anketës konfirmon se evropianët nuk e shohin plotësisht fatin e tyre në duart e udhëheqësve të tyre. Angela Merkel është lojtarja kryesore, ndërsa Emmanuel Macron renditet në vendin e tretë midis dy jo-evropianëve, presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin.
Si një lloj kujtese se shekullarizimi nuk e përjashton ndikimin fetar, Papa Françesku tejkalon në renditje “udhëheqësit e dorës së fortë” si Orban dhe Erdogan. Me përjashtim të Putinit, udhëheqësit autoritarë nuk po ia kalojnë aq mirë, gjë që sugjeron se pavarësisht retorikës së tyre, në sytë e publikut të gjerë ata nuk zotërojnë“çelësat” e çështjeve kontinentale.
Sundimtarëve kombëtarë, shpesh nuk u njihet më shumë ndikim sesa ai në vendin e tyre, dhe shpesh e kundërta. Qytetarët nga vendet e tjera, janë më entuziastë sesa gjermanët në lidhje me rolin e Angela Merkel, ndërsa evropiano-lindorët e shohin Boris Johnson si shumë më me ndikim në Evropë sesa e vlerësojnë vetë qytetarët e Britanisë së Madhe.
Perceptime të kundërta
Duke u zhvendosur nga perspektivat e udhëheqësve në ato sipas vendeve, janë mjaft domethënëse dy gjetje. Pesë nga tetë udhëheqësit e renditur në pyetësor, kanë nivelin më të lartë të ndikimit në Itali dhe dy të tjerë në Rumani.
Kjo gjë mund të interpretohet si mbështetja e zakonshme e dy shteteve të dobëta ndaj qeverisjes evropiane me shumë nivele (si kombëtare ashtu edhe transnacionale), si një përgjigje ndaj pakënaqësisë se tyre me institucionet kombëtare.
Nga ana tjetër, britanikët u japin që të gjithë udhëheqësve pa përjashtim më pak vlerësim se sa rezultatet e tyre mesatare evropiane, dhe në shumë raste niveli i tyre është më i dobët nga të gjitha vendet.
Edhe Franca është gjithashtu e rreptë në vlerësimet e saj ndaj këtyre liderëve, dhe kjo mund të jetë një reflektim i ngurrimit të qytetarëve nga fuqitë e dikurshme globale, që t’i drejtohen për ndihmë fuqive të huaja. Një fenomen i tillë u vërejt shumë më pak në Gjermani.
Dhe nëse mund të identifikohet një përfaqësues i përgjithshëm i tendencave evropiane, ai do të ishte Spanja, ku qytetarët dhanë përgjigje më afër mesatares së të gjitha vendeve.
Ky studim mbi opinionet publike evropiane, tregon se Evropa është ende një arkipelag i shoqërive kombëtare të përshkuara nga prirje të përbashkëta, por duke ruajtur kornizat e tyre të vjetra të interpretimit të gjërave.
Shpesh liderët kombëtarë nuk shihen si përcaktues të së ardhmes së vendit të tyre, ndërsa globalizimi perceptohet si ai që dikton fatet e kontinentit. Gjithsesi, narrativat e kontestuara si feja apo demokracia, tregojnë qëndrueshmërinë e tyre përmes rëndësisë që u jepet nga ata që i mishërojnë ato. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

