Biden i kërkon Stoltenbergut të qëndrojë edhe një vit

schedule18:16 - 16 Qershor, 2023

schedule 18:16 - 16 Qershor, 2023

Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg që të qëndrojë në postin e tij edhe për një vit, njoftuan sot mediat norvegjeze.

Stoltenberg, 64 vjeç, u emërua sekretar i përgjithshëm i Aleancës më 1 tetor 2014 për një mandat katër vjeçar dhe tashmë ka shërbyer dy mandate, ky i fundit u zgjat deri më 30 shtator 2023.

Sipas dy mediave norvegjeze, transmetuesit publik NRK dhe gazetës Dagens Naeringsliv (DN), duke cituar burime të paidentifikuara, Biden po kërkon një rinovim tjetër të mandatit të Stoltenberg deri në samitin e planifikuar në Uashington vitin e ardhshëm, i cili do të shënojë 75 vjetorin e Aleancës.

“Lufta në Ukrainë dhe pranimi ende “i ngrirë” i Suedisë (në NATO) janë argumente të forta për të mos ndryshuar tani sekretarin e përgjithshëm,” raporton DN.

Sipas këtyre mediave, Biden kërkoi gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë këtë javë që Stoltenberg të mbetet kreu i NATO-s, një propozim që i ishte dhënë fillimisht në shkurt dhe e kishte refuzuar atë, sipas DN.

“Të martën, shteti më i fuqishëm në Aleancë ishte edhe më i qartë: këtë herë presidenti amerikan nuk do të marrë jo si përgjigje,” sqaron DN.

Stoltenberg ka dhënë gjithmonë përgjigje të paqarta për një rinovim të ri të mandatit të tij.

“Nuk kam ndërmend të kërkoj zgjatje të mandatit”, ka përsëritur ai sot në Bruksel, pas takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

Ky informacion konfirmon deklaratat e zyrtarëve të Aleancës, sipas të cilave NATO po shkon drejt rinovimit të mandatit të norvegjezit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!