Biden dhe Trump, qasje të ndryshme për debatin e parë presidencial

schedule08:03 - 22 Qershor, 2024

schedule 08:03 - 22 Qershor, 2024

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nisur në vendpushimin presidencial “Camp David” në shtetin e Marylandit një periudhë intensive për atë që mund të jetë debati presidencial më i rëndësishëm ndër dekada.

Ekipi i fushatës elektorale të kandidatit demokrat 81-vjeçar është i ndërgjegjshëm se ai nuk mund t’ia lejojë vetes të ketë një paraqitje zhgënjyese kur të përballet me kandidatin republikan Donald Trump, në një debat televiziv prej 90 minutash në 27 qershor.

Ekipi i fushatës së kandidatit demokrat pret që goditja ndaj tij të përqendrohet tek aftësitë fizike dhe mendore të presidentit, tek të dhënat mbi ekonominë, migracionin, por edhe familjen e tij.

Trumpi, 78-vjeçar, i cili është shfaqur i sigurt, do të vazhdojë fushatën, përpara se të shkojë në rezidencën e tij në Florida javën e ardhshme. Aty për dy ditë pritet të ketë takime private në kuadër të përgatitjes së tij jozyrtare për debatin.

Aleatët e ish-presidentit po e nxisin që të përqendrohet në programin e tij qeverisës, por presin që ai të vihet në provë me pyetje direkte mbi qëndrimet strikte mbi manipulimin e zgjedhjeve, rolin e tij në kufizimin e së drejtës për abort në SHBA, si edhe në përballjet e pazakonta me të cilat është ngarkuar.
Debati në rrjetin televiziv CNN do të jetë i pari mes dy kandidatëve dhe mund t’i japë një tjetër kah garës presidenciale.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë në epokën moderne që dy kandidatët të përballen në debat në një periudhë kaq të hershme të ciklit zgjedhor. Kurrë më parë, dy konkurrentë për Shtëpinë e Bardhë nuk kanë qenë të një moshe të tillë, që të ketë nxitur pikëpyetje nëse janë në gjendje ta drejtojnë vendin.
Po kështu nuk ka ndodhur kurrë më parë që një kandidat për president të jetë shpallur fajtor për vepra penale.

“Ky do të jetë debati më i rëndësishëm që mund të kem ndjekur gjatë gjithë jetës”, ka thënë Jim Messina, i cili e ka menaxhuar fushatën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama në vitin 2012.

Trysnia mbi presidentin Biden

Rregullat për debatin e 27 qershorit, të parin ndër dy debatet e planifikuara, janë të pazakonshme.
Kandidatët kanë rënë dakord për t’u takuar në studiot e televizionit CNN në Atlanta pa praninë e publikut. Mikrofonat do të jenë të mbyllur dhe do hapen vetëm kur është radha për të folur.

Kandidatët nuk do të lejohen të kenë blloqe shënimesh me vete. Kandidatët do të pajisen me nga një stilograf dhe bllok, për të mbajtur shënime dhe një shishe uji.

Nuk do të ketë fjalim hyrës. Në bazë të shortit të hedhur, presidenti Biden do të qëndrojë në anën e djathtë të skenës, ndërsa Trumpi do të bëjë deklaratën e fundit në mbyllje të debatit. Debati i dytë do të mbahet në shtator.

Bideni ka mbërritur në vendpushimin presidencial “Camp David” të enjten në mbrëmje dhe pritet të qëndrojë aty bashkë me këshilltarët e tij dhe zyrtarët e lartë të fushatës deri në ditën e debatit.

Ndërkohë që ishte rrugës drejt  vendpushimit malor, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si po shkojnë përgatitjet për debatin duke ngritur gishtin lart në shenjë pohimi.

Këshilltarët e presidentit aktual nuk kanë dhënë detaje rreth përgatitjeve, të cilat po i udhëheq ish-shefi i kabinetit të tij, Ron Klain. Por ata kanë dhënë shenja se Bideni po përgatitet të jetë agresiv dhe se nuk do të hezitojë ta përdorë emërtimin “kriminel i dënuar” për rivalin e tij të Partisë Republikane.

Sipas disa njohësve të çështjeve politike, ekziston një ndjenjë se Bideni mund të humbë më shumë për shkak të vështirësive për të krijuar energji të re përballë shenjave të lodhjes brenda koalicionit të tij politik. Megjithatë, Trumpi dhe aleatët e tij kanë krijuar pritshmëri jashtëzakonisht të ulët, duke pretenduar për muaj të tërë se Bideni po përballet me kufizime serioze fizike që e bëjnë të pamundur qëndrimin e tij në këmbë për 90 minuta, apo aftësinë për të lidhur dy fjali.

“Është si prova me pasqyrë. Vendos një pasqyrë nën hundën e zotit Biden dhe nëse ajo mbulohet me mjegull, kaq mjafton që ai të fitojë. Kjo është pak a shumë pritshmëria për zotin Biden”, ka thënë duke qeshur strategu republikan dhe aleati i Trumpit, David Urban. “A mund të dëshmojë zoti Biden se është i aftë mendërisht? Kjo është pyetja më e rëndësishme”, ka shtuar ai.

Megjithatë, në një intervistë të enjten Trumpi synonte t’i ndryshonte pritshmëritë, duke mos përdorur karakterizimet e deritanishme për Bidenin. Ai ka thënë se Bideni “e shkatërroi” në debatin e zëvendëspresidentëve të vitit 2012, republikanin Paul Ryan.

“Supozoj se do të jetë dikush me të cilin ia vlen të debatosh”, u shpreh Trumpi për Bidenin. “Nuk dua ta nënvlerësoj”.

Këshilltarët e Bidenit i kanë hedhur poshtë shqetësimet për moshën dhe aftësitë mendore të tij. Ata po luftojnë kundër atyre që i quajnë videoregjistrime mashtruese që krijojnë përshtypjen që Bideni duket i hutuar.

Por në kohën kur disa demokratë përpiqen të tregojnë vetëbesim, aleatët e Bidenit gjithashtu kanë thënë se fakti që ai e ka kaluar shumicën e dy javëve të fundit duke udhëtuar – në Evropë dhe në pjesën perëndimore të Amerikës – i ka kufizuar mundësinë për t’u përgatitur për debat. Të tjerët kanë thënë se presidentët aktualë gjithnjë e kanë më të vështirë në fillim të debateve zgjedhore.

Përpjekjet e Donald Trumpit për të projektuar besimin

Ekipi i ish-presidentit Trump e ka parë përballjen si mundësi për të treguar kontrastin e qartë me aftësitë udhëheqëse dhe rezultatet në qeverisje të presidentit Biden.

Ndërsa i kanë kushtuar pak rëndësi përgatitjes së tij, ndihmësit e ish-presidentit Trump duket se po përpiqen të tregojnë se ai nuk përgatitet për debate, kur në fakt, përgatitet – por në mënyrën e tij.
Në vend të një debati me tone shpotitëse, predikuese e të tejzgjatura, ish-presidenti pritet të mbështetet në një seri diskutimesh rreth politikave dhe strategjive, të hartuara me ndihmësit dhe aleatët e tij politikë.

Trumpi pritet t’i bëjë disa dalje publike edhe gjatë ditëve në vijim.

Të shtunën ai do të zhvillojë një tubim në Philadephia dhe do të mbajë një fjalim të rëndësishëm në një konferencë të konservatorëve të krishterë në Washington. Ai gjithashtu do të ketë një takim për mbledhje fondesh në New Orleans të hënën, përpara se të shkojë në rezidencën e tij Florida, për të tjera takime.

“Biden ka nevojë që të bëjë prova me ata që e mbajnë për dore, për të gjetur një mënyrë për të shpjeguar këtë rrëmujë që ka bërë në vendin tonë”, ka thënë zëdhënësi i Trumpit, Brian Hughes. “Presidenti Trump është gjithmonë i përgatitur t’ua paraqesë amerikanëve sukseset e tij, si dhe dobësitë dhe dështimet e Bidenit”, ka shtuar ai.

Kampi i presidentit Biden është i vetëdijshëm se Trumpi ka shumë mundësi që të përqendrohet te djali i Bidenit, Hunteri, siç e ka bërë në skenën e debatit katër vjet më parë, kur ishte ende president.
Hunter Biden u shpall fajtor kohët e fundit për tri akuza penale në lidhje me blerjen e një arme ndërsa dyshohet se ishte nën varësinë e drogës. Republikanët kanë kritikuar gjithashtu marrëdhëniet e biznesit të Hunter Bidenit jashtë vendit, kur Joe Biden mbante detyrën e zëvendëspresidentit.

Aleatët e Bidenit janë të shqetësuar, se rivali i tyre mund të shfaqet me një sjellje të mirë gjatë debatit.

“Për të dyja fushatat, qëllimi është që ta përçojnë mesazhin tek audienca e votuesve të moderuar, të pavarur dhe të luhatshëm, në shtetet e pavendosura, të cilët në shumë mënyra do të jenë faktori vendimtar në këto zgjedhje”, ka thënë ish-zyrtari i administratës Biden, Bill Russo.

“Trumpi ka një lloj mundësie të artë në këtë rast. Nëse ai mund të arrijë të sillet si një person me arsye për 90 minuta ndërsa është në qendër të vëmendjes, do të fitonte shumë pikë”, ka deklaruar tutje Russo. “Çelësi i vërtetë këtu është se cili prej ‘Trumpëve’ do të paraqitet në debat”.