“BIA nuk është pjesë e mirë e historisë”, sqarohet Veseli gjatë dëshmisë së tij në Hagë

schedule14:29 - 25 Janar, 2022

schedule 14:29 - 25 Janar, 2022

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sejdi Veseli po dëshmon para Dhomave të Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Veseli ka thënë se Mustafa ishte komandant i njësisë BIA në të cilën kishte persona që mbanin pseudonime jo të duhura që sipas tij nuk janë pjesë e mirë e historisë. Veseli ka sqaruar deklaratat e tij që kishte dhënë për ZPS-në në vitin 2019 ku ndër të tjera kishte thënë se nuk ishte pro njësisë BIA.

Salih Mustafën ka thënë se e konsideron bashkëluftëtar dhe se e njeh që prej kohës kur ai ishte i burgosur politik, por Sejdi Veseli ka thënë se nuk i ka njohur personalisht personat e tjerë që ishin pjesë e njësisë BIA e që sipas tij mbanin pseudonime si “Tabuti” e “Vdekja”.

Me këta të fundit, Veseli ka thënë që nuk do të do donte as të shoqërohej meqë sipas tij pseudonime të tilla nuk janë normale për luftëtarë të lirisë.

Në nëntor të vitit 2019 Sejdi Veseli kishe dhënë intervistë për ZPS-në ku ndër të tjera ishte përgjigjur rreth njësisë BIA dhe citohet të ketë thënë se nga kjo njësi përveç Salih Mustafës e njeh edhe Bahri Gashin.

Për këtë të fundit, Sejdiu citohet të ketë thënë se ka qenë njëri i mirë që është manipuluar nga hajdutët, raporton KP.

Prokurori Filipo Deminiqes: Prokurori ju pyet a keni kontaktuar me ndonjë anëtar tjetër të njësitit BIA përveç Salih Mustafës, përgjigja juaj është kjo: Ishte një i ri i mirë i cili ishte manipuluar prej tyre dhe ai ishte me mua në Tiranë. Dhe juve thoni që ky personi i ndershëm ishte Bahri Gashi. Më pas prokurori ju pyet mbi çfarë baze thoni ju që e përdoren ose manipuluan atë. Ti thua që ata e manipuluan atë sepse së pari nuk mund ta besoj që ai ka qëndruar krah për krah me hajdutët.

Dëshmitari Veseli: Është fol që jo janë hajdutë, pasi që nuk i njoh nuk e di me çka është marrë ai personi ai tjetri, por është fol që janë hajdutë dhe mua si individë nuk mund të më bind askush që Bahri Gashi bie në atë nivel.

Prokurori Filipo Deminiqes: Për kë ke thanë që është hajdut?

Dëshmitari Veseli: Tabut e Vdekje këto për mua një njëri normal nuk i vë vetës emrin Vdekje.

Prokurori Filipo Deminiqes: A ishin anëtar të BIA?

Dëshmitari Veseli: Nuk e di a kanë qenë anëtar të njësitit BIA, nuk i kam njohur personalisht, me të dëgjuar i kam, që kanë qenë recidivista dhe shumë normale se në luftë çlirimtare askush askujt nuk mund të ja ndaloj pjesëmarrjen për me çlirua vendin e vet, por unë si individ me njerëz të tillë nuk kam dëshirë dhe nuk kisha dashur të shoqërohem.

Prokurori e ka pyetur Veselin nëse anëtarët e njësisë BIA kanë qenë në fshatin Zllash në periudhën prill 1999 por ai ka thënë se nuk është në dijeni meqë nuk i ka njohur personalisht.

Veseli ka thënë kur ka filluar ofensiva serbe në prill 1999 UÇK ka kryer veprime mbrojtëse duke shtuar që edhe njësia BIA ka qenë pozicionuar kundër forcave serbe.

“E di që kanë marrë pjesë edhe Njësiti BIA në Viti të Marecit është pozicionuar dhe ka luftuar kundër forcave serbe. E kush kanë qenë me emër nuk e di, e kemi njohur Salihun këtë nuk e mohoj, e kemi njohur Salihun edhe para luftës si ish të burgosur politik, kam pasur raporte para lufte me të të mira, e konsideroj bashkëluftuar, kemi qenë në një ushtri me të por për tjerët nuk mund të them sepse nuk i njoh”, ka thënë Veseli.

Prokurori ka lexuar pjesë të intervistës së mëparshme të Veselit dhënë për ZPS-në, ku ndër të tjera ka cituar Veselin të ketë thënë se “Skifterët” i quan “Sorra”.

“Skifteri është një shpend fisnik dhe asnjëherë nuk del i mundur, e skifter nuk mund të ketë qenë dikush që nuk ka pasur armë për me ju kundërvu, atëherë vetëm sorrë ke mundur me qenë”, ka thënë Veseli.

Prokurori ka vazhduar ta pyes atë për deklaratat që i kishte dhënë në intervistën e vitit 2019 duke cituar ndër të tjera se ka thënë që nuk ishte pro njësisë BIA dhe se e njëjta ishte pjesë e keqe e historisë.

Dëshmitari Veseli: Me pseudonimin Vdekja e Tabuti për mua nuk mundet me qenë pjesë e mirë e historisë, gjema historinë e një populli diku që marrin luftëtarët e lirisë aso pseudonimesh, për atë arsye.

Prokurori Filipo Deminiqes: Juve këtu i referoheni njësitit BIA në tërësinë e vet nuk është që po i referoheni anëtarëve të caktuar të BIA, juve pyetja u bëhet për BIA-n dhe ju thoni që nuk më pëlqejnë ata sepse është një pjesë e keqe dhe e pisët e historisë. Pse e konsideroni të gjithë njësitin që ju duket si një pjesë e pisët dhe e keqe e historisë, thjeshtë për shkak të nofkave që ata përdornin?

Dëshmitari Veseli: Krejt njësinë nuk e akuzoj.

Prokurori Filipo Deminiqes: Çfarë bënte njësia BIA që ju bënte juve të mendonit që ata ishin një pjesë e keqe e historisë, dhe kujtoni që jeni nën betim këtu.

Dëshmitari Veseli: Unë të vërtetës nuk i iku atë që e kam parë e them dhe nuk ngurroj fare me thënë, nëse një njësi ushtarake tërë kohën rri në mal nuk rri në terrenin e vet ku ka qenë përcaktuar për mua nuk është në rregull.

Prokurori Filipo Deminiqes: Kur prokurori ju pyeti se pse e kishin këtë opinion mbi njësitin BIA, ju nuk thatë atë çfarë thatë tani, por në fakt thatë që nëse ke kriminelë apo ke hajna në mes veti atëherë i takon që njësiti është i keq. I takon që opinioni i juaj për njësitin BIA mbështetej në personat që ishin anëtarë të njësitit BIA, a nuk është kështu?

Dëshmitari Veseli: E thash në fillim, nëse ka, qysh është fol që ka njerëz që janë recidivista këtu, për mua ndryshe nuk mundem me vlerësua, por e di që një e drejtë elementare e njeriut, pa marrë parasysh se kush është nuk ja ndalon askush askujt për me luftu për çlirimin e vendit të vet.

Në këtë pjesë të pyetjeve, seanca është zhvilluar e mbyllur për publikun për disa minuta.

Gjatë seancës, Sejdi Veseli ka thënë se në fshatin Zllash kanë qenë të vendosur Njësia Operative e Karadakut dhe njësia BIA, për këtë fundit ka thënë se njiheshin si grup i gueriles së qytetit.

Ai ka thënë se komandant i njësisë BIA ishte Salih Mustafa dhe se kjo njësi nuk i ka raportuar Brigadës 153 por ka qenë drejtpërdrejt e Zonës Operative të Llapit.

Në Zllash, ai ka thënë se BIA ka qëndruar për strehim meqë ka qenë e rrezikshme të qëndrojë në qytet për shkak të kontrollit të madh nga policia serbe.

Përgjegjës për kompleksin në Zllash ku qëndronte BIA, Veseli ka thënë se ishte Salih Mustafa.

Ndërsa Brigada 153, pjesë e së cilës ishte Sejdi Veseli, ka thënë se nuk ka qenë e vendosure në bazën e njësisë BIA.

Veseli ka thënë se në dhjetor të vitit 1998 është kthyer nga Tirana dhe në shkurt të vitit 1999 zyrtarisht i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën ka thënë se është angazhuar që nga fillimet e saj.

“Unë nuk e quaj konflikt, ajo ka qenë luftë e armatosur çlirimtare, na është imponuar nuk e kemi dashur luftën kurrë por na është imponuar se na ka ardh thika në asht përndryshe kam qenë (pjesë e UÇK-së) dhe jam shumë krenar që kam qenë, nëse e lyp nevoja prapë do të jem”, ka thënë Veseli para trupit gjykues.

Me themelimin e Brigadës 153 ai ka thënë se është emëruar zëvendëskomandant i saj.

“Detyra parësore e saj ka qenë mbrojtja e popullatës e cila ishte shpërngulur nga terrori sistematik në atë pjesë që ka qenë mbi 100 mijë njerëz, vendosja nëpër shtëpitë e fshatarëve, në të griha shkollat në pjesën e Gollakut dhe ka qenë kryesorja mbrojtja e asaj popullate, ndihma e ushqimi i asaj popullate, trajtimi shëndetësor I asaj popullate, kjo ka qenë”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Brigada 153 është themeluar në shtëpinë e Fatmir Sopit në Fshatin Zllash, 20 kilometra larg Prishtinës.

“Besoj e keni të qartë, Brigada 153 po edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka dalë nga kazerma, nuk ka dalë nga akademia ushtarake, ka dalur nga gjiri i popullit i cili popull i ka falë bijtë dhe bijat e tij sepse i ka ardhur thika në asht nga terrori sistematik nga ushtria, policia dhe paramilitarët serb”, ka thënë Veseli para trupit gjykues.

Ai ka thënë se të gjitha shtëpitë në Gollak ishin në bashkëpunim me UÇK-në rreth nevojave për ushqim.

Sejdi Veseli është dëshmitari i 11 në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, proces ky i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!