“Beteja mes dy djajve”, Nano liston 4 gabimet që bëri opozita

schedule22:27 - 28 Qershor, 2019

schedule 22:27 - 28 Qershor, 2019

Mustafa Nano mendon se opozita ka bërë disa gabime gjatë betejës së saj që prej djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve. Ai listoi gjatë monologut të sotëm në emisionin “Provokacija” katër prej tyre dhe që sipas tij kanë qenë gabime fatale.

Sipas gazetarit, zgjedhjet do të mbahen më 30 Qershor dhe kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Shkak u bë deklarata e Palmer që njihte datën e zgjedhjeve sipas tij dhe në këtë mënyrë edhe opozita do të qëndrojë urtë, ndryshe siç e imagjinonin demokratët se do të vepronte.

Nano u shpreh se gabimi i parë i opozitës ishte që beteja e saj u zhvillua nën moton “o hiç, o gjithçka”.

“Gabimi i parë: Ajo nuk e kuptoi dot që beteja që po bënte ishte një betejë e destinuar të humbte qysh në krye të herës. Madje jo e destinuar që të humbte, por edhe një betejë që do duhej të humbej prej opozitës. Këtë e them sepse nëse do ndodhte e kundërta, nëse beteja e opozitës do të ishte e suksesshme dhe këtë leksion që do nxirrej, mesazhi që do përcillej do ishte ky: ‘hej miq nuk është e vërtetë lodra demokratike që ne dimë, alternimi i pushteteve nëpërmjet votës. Jo ka një mënyrë më të thjeshtë për të ardhur në pushtet. Ik nga parlamenti, digj mandatet, bojkoto zgjedhjet, prishu me perëndimin, kërcënoju shoqërisë me luftë civile dhe bacë u kry’. Ky ka qenë një gabim fatal i PD-së. Beteja ka pasur si maste të veten moton ‘O hiç o gjithçka’ dhe opozita mori hiç, gjithçkanë e mori mazhoranca dhe kjo është e frikshme. Mendoj se ky është faji i opozitës. Nëse ne do kemi në vijim një Edi Ramë të fortë, një mazhorancë të fortë, një mazhorancë të frikshme është faji i opozitës sepse bëri këtë betejë”, tha Nano.

Gabimi i dytë i opozitës për Nanon është fakti që ju kërcënua vendit me luftë civile.

“Gabimi tjetër që bëri opozita është se ju kanos vendit me luftë civile ose të paktën krijoi këtë përshtypje. Edhe nëse nuk e ka pasur si qëllim pasoja e kësaj beteje kjo ishte, tek njerëzit mesazhi që shkoi ky ishte. Ndërsa ajo që opozita kishte protesta të organizuara orë përpara ndoshta dhe ditë përpara njerëzit pyesnin ‘çfarë do ndodhi?’, ‘do ketë përplasje civile?’, ‘do ketë luftë civile?’, ‘do ketë gjak?’. Unë mendoj që kjo ka qenë një strategji fatalisht e gabuar. Vetëm një mendje idiotike mund ta ketë përpunuar këtë strategji duke menduar që është një strategji gjeniale. Këtu nuk ka asnjë strategji gjeniale. Të bësh një betejë me synimin për të terrorizuar shoqërinë nuk ka asnjë gjë gjeniale, është thjeshtë një strategji budallaqe”, u shpreh Nano.

Gabimi i tretë është mënyra se si opozita u përpoq ta sillte protestën.

“Një gabim tjetër që bëri opozita është se betejën që bëri e solli si betejën mes djallit dhe engjëllit. Nuk ka qenë një betejë midis djallit dhe engjëllit. Ka qenë një betejë midis dy djajve. Njerëzit që kanë dalë në opozitë një pjesë e tyre nuk kanë qenë të merakosur për zgjedhje të lira. Njerëzit që kanë dalë nëpër protesta dhe nëpër sheshe për mua kanë qenë njerëz të lodhur në opozitë, kanë qenë horra që nuk kanë duruar dot që ca horra të tjerë si ata kanë pushtet. Kështu që nuk ka qenë një betejë midis engjëjsh dhe djajsh dhe përpjekja për ta sjellë të tillë nuk ka ngjizur, nuk mund të ngjiste. Edhe më budallai në Shqipëri e ka ditur që kjo nuk mund të ishte një betejë me njerëz që kanë ideale dhe njerëz që në anën tjetër nuk kanë asnjë ideal”, tha Nano.

Ndërsa gabimi i fundit i opozitës sipas Nanos është konflikti i panevojshëm që krijoi me partnerët ndërkombëtarë.

“Gabimi i fundit ka të bëjë me marrëdhënien që PD ka vendosur me partnerët tanë ndërkombëtarë. PD përcolli mesazhin që unë këtë betejë do ta fitoj ndonëse partnerët ndërkombëtarë nuk janë me mua, do ta fitoj për inat të partnerëve ndërkombëtarë. Kjo ka qenë gjithashtu një betejë budallaqe dhe u mor vesh në fund, kur mjaftoi vetëm një telefonatë e bërë nga Matthew Palmer, nga njeriu i Washington-it dhe opozita në datë 30 Qershor do të rrijë urtë. Kjo tregon se sa budallaqe ka qenë e gjithë ajo betejë për të krijuar këtë lloj konflikti të panevojshëm me partnerët ndërkombëtarë”, përfundoi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!