Beteja për epërsinë në Europë mes Gjermanisë dhe SHBA do të vendoset në Kosovë

schedule13:06 - 5 Prill, 2019

schedule 13:06 - 5 Prill, 2019

“Beteja për epërsinë në Europë që po zhvillohet mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vendoset në Kosovë”. Kështu shkruan e përditshmja serbe Blic.

Për Gjermaninë Kosova është një shtet i pavarur dhe nuk ka asnjë vend për diskutim e aq më pak rreth idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë, vijon më tej shkrimi. Për më tepër deputetët gjermanë Peter Bejer dhe Kristian Shmidt i dhanë këtë mesazh të qartë dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, pak ditë më parë në Beograd.

Një burim diplomatik tha për të përditshmen se është interesant fakti që Berlini ka një qëndrim të vendosur dhe nga ana tjetër shprehet se do të bëjë gjithçka që Prishtina të heqë dorë nga taksat ndaj produkteve serbe. Kjo pasi dialogu mes dy palëve duhet të vazhdojë. Kreu i shtetit serb Vuçiç gjatë takimit me dy deputetët gjermanë i pyeti se për çfarë duhej të flitej në momentin që ata nuk kishin ndërmend të lëviznin nga qëndrimi i tyre.

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendosur përballë njëra tjetrës. Cfarëdo të thotë kancelarja gjermane Merkel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e refuzojnë. Dhe kjo është shumë reciproke. Është pikërisht kjo arsyeja, sipas të përditshmes serbe, që është kaq e qartë se të dy pushtetet botërore po luftojnë për dominim në këtë pjesë të Europës dhe të dyja palët duan të përfitojnë pikë në rast se arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërsa Gjermania është e vendosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin të gatshme të mbështesnin një zgjidhje të re. Për Uashingtonin një shkëmbim territoresh do të ishte zgjidhja ideale, vijon më tej burimi diplomatik për Blic.

Nga ana tjetër burime diplomatike në Berlin shprehen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë bërë gjithçka që Prishtina të heqë dorë nga taksa për produktet serbe sepse është e qartë se nëse presioni do të kishte qenë ai i duhuri, atëherë taksa do të ishte hequr. Ata shtojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të përdorin historinë e taksës për ta përdorur si shkëmbim me Serbinë, në kohën e duhur.

Asistenti isekretarit amerikan të shtetit Metju Palmer është shprehur së fundmi se aktualisht është koha e duhur që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje. Kjo duke përfituar dhe nga mesazhi i presidentit amerikan Donald Tramp sipas të cilit ekipet negociatore duhet të shfrytëzojnë rastin historik.

Duke pasur parasysh se Parlamenti Europian do të shpërndahet në 16 prill, Blic shkruan se mbeten vetëm 11 ditë për arritjen e një marrëveshjeje, por aktualisht vështirë të besohet se një gjë e tillë mund të arrihet.

Derisa një zgjidhje të gjendet, do të ketë hapësira boshe deri në fund, dhe e gjithë çështja do të qëndronte në pritje të administratës së re të Bashkimit Europian.

Nacionalistët po fitojnë terren, kështu që fakti që pas zgjedhjeve parlamentare europiane, askush nuk do ta ketë me nxitim gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën, është i justifikuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!