Superiorja dhe shumica e ndeshjeve të Kategorisë së Parë u luajtën dje, por në futbollin tonë ndeshjet nuk mbarojnë dhe në program janë edhe disa për ditën e sotme. Në të Parën luhet për mbijetesën dhe dy prej skuadrave rivale luajnë në shtëpi.
Elbasani pret Ilirinë dhe fitorja është rezultati i vetëm që u bën punë verdhebluve. E njëjtë situata edhe për skuadrën e Devollit. Në Bilisht ata presin Shënkollin e vendit të fundit dhe kalimi me sukses i kësaj ndeshjeje është detyrim. Turbina ka një mision më të vështirë, pasi luan në transfertë kundër Orikut.
Sot luhet edhe në Kategorinë e Dytë, teksa në program janë katër ndeshje në grupin A dhe pesë të tjera në grupin B. Gara për kreun e renditjes është mjaft e fortë dhe përballja që pritet me më shumë interes është ajo mes Albpetrolit dhe Maliqit, ekipi që duan të renditen në vendin e dytë pas Tomorit. /abcnews.al