Nga LOG/ABC
Sipas burimeve të inteligjencës amerikane lufta në Ukrainë mund të fillojë nga momenti në moment, me shumë gjasa, të mërkurën e datës 16 shkurt. Po sipas burimeve të inteligjencës, në kufijtë e Ukrainës janë grumbulluar rreth 127 mijë trupa ruse. Një pjesë e tyre gjenden në veri, si pjesë e manovrave të përbashkëta të Rusisë me Bjellorusinë. Kjo i jep mundësi praktike Rusisë ta sulmojë Ukrainën nga lindja, jugu dhe veriu.
Një skenar për të kapur Kievin do të ishte i paprecedent që nga koha e luftës së Irakut në mars të 2003-shit.
Sipas këndvështrimit perëndimor, Kremlini ka alergji ndaj demokracisë, ndaj nuk do që të tolerojë regjime demokratike në kufijtë e vet në ish-republikat sovjetike, apo revolucione me ngjyrë, si të ashtuquajturit “revolucioni portokalli” dhe “revolucioni i kadifenjtë” në Ukrainë, apo “revolucioni i trëndafilave” në Gjeorgji.
Le ta shohim situatën nga dy pikëpamje, ajo e Kremlinit dhe e Perëndimit:
Sipas Kremlinit, nëse Ukraina bëhet pjesë e NATO-s, Rusia do të shtojë shpenzimet për mbrojtje për të siguruar kufirin e saj perëndimor. Gjeografikisht kufiri ruso-ukrainas është fushor dhe nuk ka asnjë pengesë gjeografike. Mirëpo rritja eksponenciale e shpenzimeve ushtarake mund ta falimentojë Rusinë, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Akoma më keq, Ukraina në NATO do të ishte një kërcënim direkt për territorin rus. P.sh. bregdeti ukrainas i Detit të Zi është vetëm 750 km nga Deti Kaspik. Një ushtri profesioniste mund ta përshkruajë këtë distancë për 1 ose 2 ditë. Nëse kjo do të ndodhte, do ta shkëpuste Rusinë nga Kaukazi.
Gjithmonë sipas këndvështrimit të Kremlinit, elementi kyç i një pushtimi tani, është timing-u. Pse? Sepse Ukraina po blen armë strategjike nga të gjitha drejtimet, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar; ka marrë licencë për të prodhuar dronë ushtarakë turk dhe do që të krijojë një sistem të vetin raketor, që do të kërcënonte brendësinë e territorit rus njësoj si Rusia kërcënon sot Ukrainën. Në të ardhmen pushtimi i Ukrainës do të ishte shumë më i kushtueshëm se sot dhe Ukraina do të ishte e pajisur me armë raketore për të qëlluar në territor rus. Pra, sa më shumë pret Rusia, aq më shumë forcohet Ukraina.
Dhe e fundit, gjithmonë sipas këndvështrimit rus, Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të dobësuar nga tërheqja kaotike në Afganistan dhe nuk kanë unanimitet për qëndrimet që do të mbajnë, për shkak të varësisë nga gazi rus që, për më tepër, në pjesën më të madhe kalon nga territori ukrainas.
Askush nuk i di me saktësi planet operacionale të Kremlinit, ndonëse mendohet se CIA ka mundur të interceptojë komunikime ruse. Mirëpo sipas disa rrjedhjeve për gazetën gjermane Bild nga zyrtarë të NATO-s, mendohet se planet ruse janë për sulm nga Donbasi në lindje, Krimea në jug dhe Bjellorusia në veri, një sulm në disa faza, si mjet shtrëngimi për koncesione diplomatike. Nëse në një fazë të caktuar të ofensivës negociatat diplomatike dështojnë, forcat ruse do të lëvizin në objektivin tjetër, e kështu me radhë, deri sa Kievi të tërhiqet dhe objektivat politike ruse të arrihen.
Sipas këtij skenari, faza e parë me gjasë do të fokusohet në jug. Tanket dhe trupat ruse që vijnë nga Krimeja do të sulmojnë bregun jugor dhe do të rrethojnë Odesën. Kjo do ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi. Aq më shumë që manovrat e fundit detare ruse në Detin e Zi e bëjnë sulmin të mundshëm nga ana praktike. Këto forca mendohet se do të shkojnë deri në Transnistria, rajon separatist rus në Moldavi. Gjithmonë në fazën e parë, forcat speciale ruse do të infiltronin lumin Dniepër, për të penguar përdorimin logjistik të lumit nga prapavija ukrainase. Focat ajrore ruse do të bashkërendonin sulmet e tyre me forcat speciale në terren. Kësisoj, të mbështetur edhe nga ajri, forcat nga Donbasi do të merrnin kontrollin e Ukrainës lindore. Nga ky moment Rusia do të lëvizte e lirë në Krime, duke krijuar një vazhdimësi territoriale në Ukrainën jugore.
Sipas këndvështrimit perëndimor, këtu Kremlini do të ushtronte presion për dorëzim. Nëse kjo nuk ndodh, në fazën e dytë infateria ruse, që do të vinte nga verilindja, do të sulmonte qytetin e dytë më të madh ukrainas, Krakiv (ose Kharkov), duke vazhduar depërtimin në brendësi. Në këtë moment Rusia do të kishte shtënë në dorë pjesën më të madhe të territorit në lindje të Dnieprit. Nëse negociatat sërish do të dështonin, Rusia do të fillonte fazën e tretë.
Atëherë trupat ruse të stacionuara në Bjellorusi, ku Presidenti Lukashenko ka deklaruar se ne rast konflikti në Ukrainë do të mbajë anën e Rusisë, duke evituar zonën radioaktive të Çernobilit, do të sulmonin nga veriu, duke përfunduar rrethimin e Kievit.
Kryeqyteti ukrainas është një metropol i madh, ndaj forcat ruse do të qëndronin jashtë tij, duke u përpjekur ta shtrëngonin qeverinë të kapitullonte. Kryebashkiaku i Kievit, ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Vitali Klitschko, ka deklaruar se kanë gati disa skenarë për evakuim, në rast rrethimi të kryeqytetit. Por, në fund të fazës së tretë, 2/3 e territorit ukrainas do të ishin nën kontroll rus.
Ukrainasit mendohet se do të bëjnë rezistencë, sepse mundësitë i kanë, ndonëse raporti total i forcave nuk e përcakton dot fatin e betejës në favor të ukrainasve. Rusia, e cila ka numrin më të madh të tankeve në botë, mund t’i dëmtojë kapacitet ushtarake të Ukrainës nga distanca. Në çdo skenar, Ukraina do të kishte me mijëra viktima brenda disa orëve. Dhe me mijëra të tjerë në orët në vazhdim.
Sfida për Rusinë do të ishte lufta guerrilase. Sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Sociologjike në Kiev, 1/3 e popullsisë janë gati marrin armët për të rezistuar. Mirëpo sipas doktrinës ushtarake amerikane, për të kontrolluar me sukses çdo formë kryengritjeje, një forcë pushtuese duhet të ketë një raport forcash prej 1 ushtar për 20 kryengritës. Bazuar në numrin total prej rreth 20 milionë ukrainas aktivë, Rusisë do t’i duheshin në terren të paktën 325000 trupa, ose 2.5 herë më shumë sesa kanë.
Të pozicionuar tani, çka është e pamendueshme për një pushtim afatgjatë. Prandaj mendohet se Rusia kërkon një zgjidhje të shpejtë. Lufta në vetvete është një mjet për të arritur një qëllim politik të caktuar. Për Rusinë kjo përkthehet në detyrimin e Kievit për të përmbushur kërkesat e Moskës.
Mirëpo nga ana tjetër, Rusia e ka mohuar me forcë se e do këtë luftë. SHBA e kanë kërcënuar Kremlinin me sanksione të forta: Përjashtimin nga sistemi SWIFT i transfertave bankare, bllokimin e aksesit për bankat ruse në dollarin amerikan si valutë për rezervat bankare, embargo ndaj produkteve të teknologjisë si mikroçipa apo telefonë, e deri te sanksionet personale për presidentin Putin.
Mirëpo askush nuk e parashikon dot sot, se çfarë do të bëjë pikërisht presidenti Putin, i cili ka disa opsione në tavolinë. Kurse perëndimi, i cili ka deklaruar se nuk do të angazhohet me trupa në Ukrainë, në ecejaket e veta Kremlin-Kiev, ka vetëm një zgjidhje: të presë, duke kërcënuar me sanksione.
/abcnews.al/