Beteja e madhe për Donbasin, a po vendoset fati i rajonit në Severodonetsk?

schedule13:23 - 9 Qershor, 2022

schedule 13:23 - 9 Qershor, 2022

Nga Joe Inwood-BBC

Përshtati në shqip: Abcnews.al

“Kjo është një betejë shumë e ashpër, shumë e vështirë… Unë jam mirënjohës për të gjithë ata që mbrojnë këtë front. Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset atje.”

Këto fjalë nga presidenti Zelensky po përshkruanin betejën për Severodonetskun, fokusi aktual i sulmit të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit.

Qyteti i vjetër industrial, është përfshirë në beteja të mëdha e tankeve dhe artilerisë, luftime të ashpra në rrugë dhe viktima të shumta nga të dyja anët.

Pa dyshim, të dyja palët kanë hedhur gjithçka në betejën e Severodonetskut.

Por, deklarata se ky qytet është vendimtar për fatin e Donbasit nuk përputhet me një intervistë që bëmë me guvernatorin e Luhanskut vetëm pak ditë më parë. Serhiy Haidai, aq shpesh burimi i informacionit mbi konfliktin, na tha se “Severodonetsk ka vetëm rëndësi simbolike, jo rëndësi ushtarake apo strategjike”.

Në të vërtetë, ai tha se ishte qyteti fqinj i Lysychansk që është më i rëndësishmi. “Lysychansk është shumë më i rëndësishëm sepse ndodhet në kodër. Është më e lehtë për ushtrinë të mbrohet dhe të godasë nga aty”.

Kjo hartë tregon zonat e dhe përreth Severodonetsk dhe Lysychansk

Për të kuptuar pse, duhet të kuptojmë gjeografinë e rajonit.

Severodonetsk është në një terren relativisht të sheshtë në bregun lindor të një lumi të quajtur Siverskyi Donets, ndërsa Lysychansk ndodhet në një kodër me pamje nga ana perëndimore. Është një pozicion shumë më i mbrojtur, veçanërisht pasi afrimi në Lysychansk do të përfshijë kalimin e lumit nga ushtria ruse, diçka që ka rezultuar tepër e kushtueshme për Rusinë në të kaluarën e afërt.

Lexuesit mund të kujtojnë disa imazhe të jashtëzakonshme nga disa javë më parë, ku një batalion i tërë rus u shkatërrua ndërsa u përpoq të kalonte lumin Siverskyi Donets.

Përpjekja për të kaluar edhe një herë atë lumë do të jetë detyra me të cilën përballen rusët nëse kapin Severodonetskun.

Prandaj, mund të ndodhë që kur Presidenti Zelensky thotë se “fati i Donbasit tonë po vendoset” në betejën për Severodonetsk, ai flet në terma simbolikë dhe jo strategjikë.

Në të vërtetë, edhe nëse rusët e pushtojnë qytetin, ata do të përballen me një detyrë të vështirë për të kapur pjesën tjetër të Donbasit. /abcnews.al