“Beteja” e ishujve pa Covid në Mesdhe

schedule19:33 - 2 Maj, 2021

schedule 19:33 - 2 Maj, 2021

Në prag të hapjes së sezonit turistik mediat greke kanë bërë një panoramë të situatës në Mesdhe me avantazhet dhe disavantazhet krahasuar me vendet e tjera në garë për të tërhequr sa më shumë turistë.

Ishujt grekë duket se kanë një avantazh të pakonkurrueshëm në funksion të sezonit turistik të këtij viti.

Greqia tejkalon dukshëm rivalitetin turistik të destinacioneve evropiane, veçanërisht kundër Italisë dhe Spanjës, pasi sipas studimeve, ajo u ofron turistëve një shkallë mjaft të lartë kënaqësie” shkruan zougla.gr.

Prej disa muajsh qeveria në Athinë është fokusuar jo vetëm te certifikata e gjelbër, por edhe vaksinimi në ishuj për t’i “pastruar” nga COVID-19.

Me vaksinimet që vazhdojnë me ritme të shpejta, por edhe me hapjen zyrtare të turizmit më 15 maj, Greqia hyn në arenën e konkurrencës. Italia e ka njoftuar hapjen zyrtare të turizmit nga 2 qershori me një rimëkëmbje të ngadaltë, në një kohë kur Spanja nuk ka bërë ende njoftime zyrtare.

Drejtimi për në Greqi është i përforcuar nga fakti që ishujt më të vegjël kanë përfunduar tashmë vaksinimin e popullsisë së rritur, si rezultat i së cilës ata mund të shfaqen në listën e destinacioneve tërheqëse si pa Covid. Në Samos, Naxos, Rodos, Skopelos, Kos dhe Korfuz  vazhdojnë vaksinimet me një ritëm të shpejtë” thuhet më tej në shkrim.

Hotelierët, restorantet dhe tregtarët në Majorka, vijon më tej artikulli janë të shqetësuar për humbjen e garës turistike me Kretën, Kroacinë ose destinacione të tjera turistike.

Po Turqia? Vendimi për futjen në karantinë duket se do të ndikojë për zgjedhjen e parë. “Që nga e enjtja Turqia ka hyrë në një bllokim të ashpër deri në 17 maj, në një përpjekje për të shpëtuar turizmin.

Presidenti Erdogan kërkon të zvogëlojë më tej numrin e rasteve në mënyrë që të shpëtojë sezonin turistik të këtij viti. Por kjo nuk duket se është e mjaftueshme, pasi goditja për turizmin është e madhe” mbyllet shkrimi./ db/ Abcnews.al