Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkëve

schedule09:50 - 21 Prill, 2019

schedule 09:50 - 21 Prill, 2019

Besimtarët katolikë festojnë sot Pashkët. Ringjallja e Krishtit pas kryqëzimit simbolizon ringjalljen e shpresës për besimtarët. Në Tiranë Mesha e  Shenjtë u mbajt në Katedralen e “Shën Palit”.

Pashkët i mblodhën besimtarët katolikë në Tiranë në Katedralen e “Shën Palit”.

Mesha e Shenjtë në nderim të ringjalljes së Jezu Krishtit u  mbajt nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, imzot Xhorxh Frendo.

Sipas besimit të Krishterë, biri i zotit u kryqëzua për të larë mëkatet e njerëzimit, por ditën e tretë pas vdekjes u ringjall.  Për këtë arsye festa simbolizon dhe ringjalljen e shpresës.

Bashkë me urimet për më shumë paqe e dashuri imzot Frendo iu referua situatës që po kalon vendi dhe i bëri thirrje shqiptarëve të mos e humbin shpresën.

Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës foli dhe për fenomenet negative të shoqërisë dhe apeloi për të qendruar larg veseve.

Me ritet e natës së Pashkëve besimtarët kremtojnë ngjarjen që në besimin e tyre ndryshoi rrjedhën e historisë e që simbolizon ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen./abcnews.al