Besimi në ekonomi bie në nivelin më të ulët historik

schedule15:43 - 7 Nëntor, 2022

schedule 15:43 - 7 Nëntor, 2022

Bizneset kanë vlerësime negative për ecurinë ekonomike në muajt në vijim të ndikuar nga kriza.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike  ka rënë me rreth 2 pikë në muajin tetor duke pësuar rënie për të katërtin muaj radhazi. Kjo është ndikuar nga një pritshmëri negative në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.

Rënie drastike ka pësuar ndërtimi  ku besimi ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke regjistruar përkeqësim të treguesit për të dytin muaj radhazi. Ndikim në këtë situatë kanë dhënë parashikimet për rritje të metejshme të  çmimeve në të ardhmen.

Ndërkohë treguesi i besimit të industrisë u pakësua me 4.8 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga rënia e të gjithë treguesve për situatën aktuale, ku veçohen rënia e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave  porositëse.

Po ashtu treguesi i besimit në tregti ndoqi prirjen rënëse të evidentuar gjatë pjesës më të madhe të muajvet ë mëparshëm, duke rënë me 2.6 pikë përqindje. Vlerësimet negative u ndikuan kryesisht nga pritshmëri më të dobëta për ecurinë aktuale të biznesit.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi rënie të  lehtë  me  1.1  pikë  përqindje, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesit të ecurisë  së  biznesit.

Ndërkohë vlerësimet e konsumatorëve për gjendjen ekonomike në të ardhmen mbeten pothuajse të njëjta me një përmirësim të papërfillshëm. Treguesi i besimit konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 % por duke mbetur larg  mesatares afatgjatë. /abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!