Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore, që u zhvilluan me rastin e 574-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në qytetin e Lezhës.
Sipas kreut të shtetit edhe pas kaq vitesh është e rëndësishme ti qëndrohet mesazhit të bashkimit që ka dhënë Gjergj Katriot Skënderbeu.
Artistë të folklorit ishin mikëpritësit e parë të të ftuarve në Lezhë për 574-vjetorin e Besëlidhjes së princave shqiptar. Pavarësisht motit të keq në qytetin që Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu themeloi shtetin e Arbërit, ndjehej atmosfera e festes.
Në aktivitetet e organizuara me këtë rast nga Bashkia e Lezhës, ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të Kosovës, Luginës së Preshevës, miq të Lezhës e përfaqësues të politikës ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, ndërsa qeveria është përfaqësuar me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.
Ceremonia në nderim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme është hapur nga kreu i Bashkise Lezhe, Fran Frrokaj, i cili tha se mesazhet e përcjella nga kjo ngjarje janë frymëzuese edhe sot.
Simbolika e 2 Marsit, bashkimi në shërbim të vendit, është përdorur edhe nga Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla, zv/ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Deda dhe Arben Ristani, përfaqsuesi i opozitës shqiptare.
Për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, amaneti i Heroit tonë Kombëtar duhet të çuar edhe më tej dhe se në këtë vit të Skënderbeut, ne duhet të tregojmë se mund t’i qëndrojmë këtij mesazhi.
Aktivitetet e organizuara me këtë rast nga Bashkia e Lezhës janë zhvendosur me një koncert solemn në Pallatin e Kulturës, ndërsa është lexuar edhe përshendetja e Kryeministrit për këtë ditë përkujtimore për Lezhën, përshendetje që është lexuar nga Ministria e Arsimit, Lindita Nikolla./abcnews.al