BERZH i tërheq vëmendjen qeverisë për koncesionet: PPP-të e mëdha të diskutueshme

schedule16:29 - 20 Nëntor, 2019

schedule 16:29 - 20 Nëntor, 2019

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i tërheq vëmendjen qeverisë për kontratat e Partneritetit Publik-Privat.  Sipas saj konçesionet e mëdha janë të diskutueshme dhe pa një nivel të mjaftueshëm të analizës mes kostove dhe përfitimeve.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim paralajmëron qeverine shqiptare për kostot që mund t’i vijnë prej kontratave mes Partneritetit Publik-Privat.

Në raportin e Tranzicionit 2019 -2020, BERZH nënvizon se disa prej koncesioneve janë dhënë pa konkurencë.

Të tjera kontrata janë lidhur me kompani me kapacitete të ulëta financiare në raport me madhësinë e projektit.

“PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor, për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”

Kjo nuk është hera e parë që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim tërheq vëmendjen për projektet e Partneritetit Publik-Privat.

Më herët, ndërsa rendiste arsyet e rishikimit të uljes se përformancës ekonomike BERZH theksonte dhe rreziqet  e brendshme që lidhen me detyrimet  nga koncesionet.

Qeveria sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim  duhet të përqendrohet në përmirësimin e standardeve të qeverisjes fiskale dhe publike, përmirësimin e sjelljes së partneriteteve publike-private dhe forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit.

Ndërkohë Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të trajtuar informalitetin si një nga pengesat më të rëndësishme për të bërë biznes.

Sipas BERZH mjedisi i biznesit mbetet i vështirë, me Shqipërinë që u rendit në vendin e 82-të nga 190 shtete në raportin e Bankës Botërore Doing Business 2020, 19 vende më poshtë se një vit më parë.

Ndërsa rritja ekonomise u ngadalësua në 2.4% nga viti në vit në gjysmën e parë të 2019, nga 4.1% në 2018, kryesisht rrjedhoje e rënies së prodhimit të energjisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!