TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli pak pas mesditës, nga selia blu, këtë të shtunë për të deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arratisur, për shkak të përballjes që ka me SPAK-un.
Ai jepte një orar të saktë dhe destinacionin për në SHBA-a, për këtë arratisje sipas Berishës, të kryebashkiakut.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”
Në këtë deklaratë, Berisha kërkoi rikthimin urgjent të Veliajt në Tiranë dhe shtoi se akti i arratisjes sipas tij, është një akt ndër më të rëndat në historinë e një vend dhe super-skandaloz.
Por të gjithë këtë e përgënjeshtroi vet Veliaj, përmes një reagimi që erdhi prej vendit ku ai ka shkuar, nga Nju Jorku.
“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”
Në këtë reagim, Kryebashkiaku i Tiranës thotë se do kthehet për dy ditë, duke shtuar se ai mbështet drejtësinë e re dhe nuk do të bëjë komente rrugëve./abcnews.al