Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar në Real Story, se nuk trembet nga drejtësia, edhe pse nuk e konsideron veten trim. Ai tha se i përket personave që përballen me frikën dhe nuk i shmangen asaj. Berisha tha se sulmet ndaj tij bëhen nga bota e krimit, përfaqësues kryesor i të cilës është Edi Rama.
Ish-kryeministri ka sulmuar fort organin e akuzës. Ai tha se Prokuroria e Shqipërisë ka qenë institucioni më i inkriminuar, për shkak të biznesit me shitjen e dosjeve. Sipas Berishës, prokurorët bënin tregti të ndyrë me dosjet e kriminelëve e trafikantëve. I pyetur për Adriatik Llallën, ish-kryeministri tha se nuk ka patur asnjëherë asnjë komunikim me të, qëkur vetë është larguar nga posti i kryeministrit. Por Berisha tha se nuk mund të mos e marrë për bazë vendimin e Rex Tillerson, që ndaloi hyrjen e ish kryeprokurorit e familjes së tij në SHBA me akuzat për korrupsion. Nga ana tjetër, Berisha tha se nuk do i kërkojë falje ambasadorit Lu, pasi sipas tij thjesht i ka kërkuar që të japë përgjigje për akuza konkrete që ka pasur ndaj tij, e nuk e ka bërë. Berisha theksoi se vetë ambasadori ka akuzuar tre herë më shumë opozitën, se c’ka akuzuar Saimir Tahirin e antarë të tjerë të qeverisë.
I pyetur për marrëveshjen e 18 Majit mes Bashës e Ramës, Sali Berisha tha, se ai vetë ka qenë për atë marrëveshje, në kushtet kur duhej një garanci për të hyrë në zgjedhje, pasi ndërkombëtarët deklaruan se do i njihnin, edhe nëse opozita do i bojkotonte.
Lidhur me aktivizimin e kritikëve të Bashës në një lëvizje politike, Berisha tha se PD duhet të bashkojë demokratët prej vitit 1990, në bazë të kontributeve të tyre, pasi partia e parë opozitare në vend sipas tij, i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Sot Shqiptarët mezi presin të shkëputen nga Edi Rama që ka nxirë imazhin e vendit, tha ish-kryeministri./abcnews.al
Berisha sulmon Prokurorinë: Ka bërë biznes me dosjet
schedule22:51 - 5 Mars, 2018
schedule 22:51 - 5 Mars, 2018