Berisha shkeli vendimin e gjykatës/ Gjikondi: Ai po dëmton brezat e rinj, SPAK duhet të reagojë!

schedule17:31 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 17:31 - 4 Dhjetor, 2023

TIRANË- Për të tretën herë radhazi ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme duke mos zbatuar vendimin e gjykatës. Ish-kryeministri i marrë nën hetim për akuzën e korrupsionit, në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, as këtë të hënë, në orën 10:00, nuk u paraqit.

Analistja dhe juristja e njohur Brizida Gjikondi, e ftuar në “News Line” në ABC News tha se me këtë qasje, Berisha ka injoruar në mënyrë të plotë SPAK-un. Sipas saj, në ndryshim nga herët e kaluara, sot nuk morën pjesë në gjykatë as avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit.

Gjatë intervistës, juristja nënvizoi se Berisha është “truri” dhe organizatori kryesor i akteve të kaosit në Kuvend. Ajo theksoi se Berisha duke mohuar vazhdimisht drejtësinë, po kthehet në një precedent dhe shembull të rrezikshëm për shoqërinë.

“Kemi një risi sot, që nuk shkuan as avokatët. Ai ka bërë një injorim total SPAK-ut. Berisha është regjisori, skenaristi dhe është truri i asaj që po ndodh, por edhe përfituesi i saj. Ai nuk ka shkuar tri herë. Berisha po bëhet një precedent skandaloz për mosrespektimin e ligjit. Çdo qytetar tjetër do ishte shpallur në kërkim dhe do kishte një ndryshim të masës së mëparshme”, u shpreh Gjikondi.

Më tej, Gjikondi thotë se Berisha me refuzimin që i bën ligjit po krijon një model të gabuar për të gjithë ata të rinj, që nesër ose pasnesër, do kenë në dorën drejtimin e Shqipërisë.

Ajo tha se Kuvendi dhe SPAK duket se janë në harmoni kur vjen puna te mosreagimi për kaosin dhe veprimet e ish-kryeministrit, i cili në vend të bindjes ligjore, bën të kundërtën duke krijuar dhunë dhe shpërfillje të organeve ligj-zbatuese. Akte të tilla shtoi Gjikondi duhet të procedohen nga drejtësia dhe SPAK duhet të reagojë.

“Më vjen keq kur shoh se Berisha vazhdon të jetë si model i vitit 2023, përballë një rinie, e cila ka nevojë për një edukim ligjor dhe Berisha me këtë po dëmton brezat që nesër pasnesër do kenë Shqipërinë në duar. SPAK dhe parlamenti duket sikur janë në një harmoni, të qenurit pasivë përballë kësaj situate. Nuk është në të mirën e vendit që të lejojnë skena në atë nivel degradimi. Besoj se po, sepse mendoj, që sot prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai e kanë detyrim ligjor të reagojnë.”, tha ajo. /n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!