TIRANË- Premtimin më të madh që pati për meritokraci dhe hapje të Partisë Demokratike, Sali Berisha e shkeli me duart e veta.
Tre muaj para zgjedhjeve, ndryshe nga çfarë tha e premtoi, apo çfarë statuti i PD shkruan, kryedemokrati propozoi përjashtimin e drejtuesve të qarqeve nga primaret, duke u siguruar vendin e sigurt në listën e mbyllur për deputet.
Nga garues ata do të jenë vetëm arbitra të procesit. Ky premtim i shkelur nga Sali Berisha, u komentua nga aktivisti politik Fatbardh Kadilli, në një diskutim për “Tirana Live” në ABC News .
Ai theksoi se ky veprim dëshmon se Partia Demokratike është përqendruar në duart e kryetarit dhe statuti i saj, është thjesht një copë letër, që nuk ka rëndësi për askënd.
Sipas tij, Sali Berisha ka mbledhur rreth vetës disa persona që Kadilli i quajti “kamikazë politikë”.
“Primaret i kanë shërbyer Sali Berishës për t’u dukur sikur do ndryshojë partinë. Berisha është shembulli më i dukshëm i kryetarokracisë. PD është më e nënshtruar se kurrë ndaj kryetarit. Ai ka kamikazët e vet politikë. PD nuk është e bashkuar”, tha ai.
Ai pohoi se kur kanë mbetur tre muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, Partia Demokratike është më e përçarë se kurrë. Sipas tij, të flasësh sot për “primare” në PD, është të tallesh me demokratët.
“Tre muaj para zgjedhjeve, PD është më e përçarë se kurrë. Berisha nuk e ka bashkuar partinë, nuk e bashkon as opozitën. Prandaj të flasësh për primaret sot është të tallesh me demokratët. U shkel statuti për të zgjedhur kandidatët për deputetë. Statuti është një copë lecke. Ai do të vendosë në listë kamikazët e vet politikë. Ata që rrihen më tepër, ata do jenë në listë”, tha ai.
Aktivisti pohoi se Partia Demokratike nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet.
“Opozita s’ka shans të bashkohet, imagjino më pas, prandaj nuk është në garë. Kur nuk bëjmë dot zgjedhje brenda partisë, nuk na besojnë më as shqiptarët. PD nuk fiton, ajo është e humbur thellë. Ka entuziazëm të rremë”, tha ai./abcnews.al