TIRANË– Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, i ftuar në “Tirana Live”, tha se Sali Berisha e ka dëshmuar dhe vijon ta dëshmojë se nuk bashkëjeton dot me rregulla demokratike.
Sipas tij, në Partinë Demokratike nuk ka figura të afta për të udhëhequr një “revolucion” pasi siç tha Elezi, emrat që shohin shqiptarët në atë grup politik janë pa “shtyllë kurrizore”.
Ai theksoi se revolucioni bëhet nga njerëz që kanë dhënë prova dhe që gëzojnë integritet, ndërsa sipas tij, drejtuesit aktualë “e bëjnë revolucionin me njerëzit e vet, por i keqpërdorin”.
Më tej, Elezi deklaroi gjithashtu se Partisë Demokratike nuk i bindet as anëtarësia e saj dhe kjo vihet re në protestë, te numri i pjesëmarrësve.
Gjatë diskutimit në studio, Elezi e cilësoi të “pashpjegueshëm” agresivitetin brenda partisë dhe kritikoi përdorimin e të miturve në aktivitete politike, duke e quajtur këtë një “gabim dhe turp” për organizatorët.
Sipas tij, Partia Demokratike është “uzurpuar” dhe po largohen njerëzit që kërkojnë ndryshim brenda saj.
“Sali Berisha nuk mund të bashkëjetojë më rregulla demokratike. Berisha ka shkelur periodikisht rregullat brenda partisë. Në opozitë nuk ka figura për revolucion, sepse janë pa shtyllë kurrizore. Revolucioni bëhet me njerëz që kanë dhënë prova. Këtë bëjnë revolucion me njerëzit e vet, por i keqpërdorin.
Partisë Demokratike nuk i binden as vetë anëtarësia. Mbetet i pashpjegueshëm agresiviteti i Partisë Demokratike. Pastaj, të përdorësh të mitur është një gabim nga ana e organizatorëve. Ky është një turp për organizatorët. PD është uzurpuar, largohen njerëzit që duan ndryshimin”, tha Elezi./abcnews.al


