Sali Berisha ka reaguar pas shpërthimit me tritol të automjetit të kreut të “Rithemelimit” në Vaun e Dejës, Benard Ndreca. Gjatë një deklarate, Berisha u shpreh se atentati ndaj Ndrecës është i paprecedentë dhe e cilësoi me prapavijë politike.
“Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Benard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eleminimin e tij fizik. Benard Ndreca është një qytetar shembullor. E tillë është edhe familja e tij. Terrorist shtetëror, sipas regjistrimit të kamerave të shtëpisë kanë vendosur në orën 1 e 15 minuta të mëngjesit tritolin në makinën e tij.
Benardi, tek nisej për në punë dhe guidonte makinën, pas disa metrash përballet me një shpërthim të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës, por fatmirësisht vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist Edi Rama inaguron çeljen e fushatës së tij elektorale.
Kjo përbën një krim të shëmtuar. Përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve, kur një drejtues kryesor i një dege të PD sulmohet, apo ndaj tij organizhohet një atentat për likujdimin e tij. Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Benardin, me deputetin Zef Hila, dhe iu shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Gjithashtu dënoj këtë krim të shëmtuar”, theksoi Berisha gjatë deklaratës së tij.