Distanca mes kryeministrisë dhe parlamentit në Tiranë është 1 kilometër. Ndaj dhe doktori nuk i hoqi asnjë centimetër. Ftoi qytetarët të protestojnë paraditen e së enjtes jashtë parlamentit, në kohën kur brenda në seancë do të diskutohen e votohen dy raportet e imunitetit për deputeten Belinda Balluku.
“Çfarëdo që je, dhe cilido që je, në qoftë se e ndjen veten shqiptar, është koha të ngrihesh. Është koha të përballemi dhëmb për dhëmb me një regjim kaq të poshtër që nga koha e Enver Hoxhës”, tha Berisha.
Berisha tha se gjithë prozhektorët tani janë drejt opozitës, ajo është leva që heq Ramën, por për ta lëvizur i duhet ajo, që nuk e ka dot prej 13 vjetësh: dora e popullit. Gjithsesi doktori e bëri të qartë se problemi nuk është te leva.
“Por problemi është se, leva e Arkimedit për largimin e Edi Ramës jemi vetëm ne, janë qytetarët shqiptarë, është opozita shqiptare”, tha ai.
Berishës i dalin bastet e pamundura. Para 11 majit parashikoi saktë se do binte borë edhe në maj.
Edhe për Edi Ramën thotë se basti është vënë. Rrëzimi i tij është thjesht çështje kohe.
“Kur tregjet e basteve merren të parashikojnë nëse Edi Rama do bjerë këtë vit apo jo, ta imagjinojë çdo shqiptar se ku jemi katandisur ne me këtë njeri. Vendi po bëhet gazi i dheut”, tha ai
Por një tjetër Gaz u bë dhe.


