Berisha: Nuk fitoj sa të jetë Rama/ Doktori justifikon humbjen: Qeveri teknike e zgjedhje të reja

schedule15:17 - 27 Maj, 2025

schedule 15:17 - 27 Maj, 2025

Lajme të reja nga fronti i farsës. E para, Berisha ka ndryshuar fasadën. Në PD, s’ka më Shqipëri Madhështore, por vetëm pa zgjedhje të lira s’ka zgjidhje. E dyta, doktori zbuloi kryekërkesën e tij, njëkohësisht kryearsyen pse s’fiton dot.

“Ka vetëm një rrugë, largimin e Edi Ramës, qeveri teknike dhe përsëritjen e zgjedhjeve.” Por pse mos ikë vetë ai? Berisha e ka gati përgjigjen për këtë pyetje, që bukur e lidh me nenin Basha.

“Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike.”

E treta, ai akuzoi Ramën se po ble ndërkombëtarët, por ka besim se SHBA dhe BE në fund nuk do të blihen, e nuk do i njohin zgjedhjet.

“Edi Rama po paguan shuma të jashtëzakonshme për të ndryshuar raportin. E vërteta tjetër mendoj unë se SHBA-të bazuar në këto dokumente dhe natyrisht në informacionet e tjera që kanë vetë, nuk janë shprehur për këto zgjedhje, duke respektuar standardin ndërkombëtar në këto raste, i cili kërkon që raste si këto qëndrimet të shprehen pasi të finalizohet procesi me të gjitha problematikat e tij.

Ka patur për shkak të samitit, prononcime të avancuara në kohë, por besimi ynë i plotë është se qeveritë e këtyre vendeve, pasi të njihen me raportin ndërkombëtar të opozitës dhe vëzhguesve do të mbajnë qëndrim në mbështetje të votës së lirë të shqiptarëve, dhe jo farsës elektorale të Edi Ramës.”

Por se sa u harxhua ai vetë për amerikanin Chris La Civita që solli për fushatë, doktori nuk e tregon. Ai thotë se ia vlejti, por ia justifikoi si kohën, pagesën, dhe atë punën e magjisë.

“A ia vlente? Ia vlente shumë sepse kjo është një betejë e një rëndësie të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë dhe demokracisë. Bashkëpunim i ngushtë, bashkëpunim shumë i ngushtë, intensiv, i frytshëm, midis partisë sonë dhe Chris LaCivita. Dhe udhëzimet sigurisht që janë marrë parasysh plotësisht. Por çfarë tregon kjo? Kjo tregon qartë se farsa elektorale nuk fitohet kurrë nga opozita.”

Megjithatë, doktori tani sytë i ka nga parlamenti, që po i mungon shumë. Dhe me nxitim pret të rikthehet në foltore. Por se sa seriozisht e ka këtë, e thotë vetë ai.

“Opozita në parlament do të denoncojë farsën elektorale të majit të 2005…. Më falni të 2025.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!