Lideri historik i demokratëve Sali Berisha nga “Foltorja” e Pogradecit i ka bërë një thirrje të hapur për debat televiziv kryeministrit Edi Rama. Në përmbyllje të fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha tha se ka një mesazh për Edi Ramën. Duke iu drejtuar kreut të qeverisë, Berisha tha se ai është i pashpresë dhe se Foltorja “i ka kallur datën”.
“E garantoj se me Sali Berishën do të bashkohen të gjitha burrat e gratë që i besojnë dinjitetit njerëzor. Burrat e vajzat që jetojnë me djersën e ballit. Para se të të japim duart dua të të ftoj në një debat televiziv para këtyre burrave dhe grave, të gjitha krimet e mëkatet e këtyre tetë viteve mbathja për Beograd se atje të presin me krahë hapur.”
Po ashtu, Berisha, duke iu drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, tha të mërkurën do të dërgohen në Partinë Demokratike 4200 firma për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.
Po ashtu, më herët gjatë fjalës së tij, Sali Berisha duke iu referuar “Foltoreve” të mbajtura nëpër Shqipëri, tha se këto takime “janë më pro-amerikane se të gjitha të tjerat.
“…Këto takime më pro-amerikane se gjithë të tjerat. Se asgjë nuk mund të devijojë boshtin e drejtimit tonë perëndimor. Se ne qëndrojmë për vokacionin perëndimor të kombit si jetik dhe vendimtar për të ardhmen tonë. Nuk përkulemi para asnjë lloji presioni dhe shantazhi. Mbrojmë vlerat dhe Shqipëria shumë shpejt do të dalë nga kthetrat e këtij narko-shteti.” /abcnews.al/

